Futbollistët e Argjentinës i “frikohen” kthimit në vendlindje

Argjentina, e cila para fillimit të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” u llogarit njëra nga kombëtaret favorite për ta fituar Kupën e Botës, me vështirësi e kaloi fazën e grupit.
Por, pavarësisht se kaluan përtej tri ndeshjeve grupore, nuk arritën të shkonin më shumë se në 1/8-ën e finales, aty ku edhe u eliminuan nga Franca me rezultatin 4-3.
Çuditërisht, sipas gazetarit të pavarur Ed Malyon, futbollistët pas eliminimit nuk kanë zgjedhur të kthehen në Argjentinë. Vetëm njëri prej tyre sipas Ed Maylon, Enzo Perez, zgjodhi të fluturonte në vendin amerikano-latin.
Madje Lionel Messi ishte i pari që u largua nga kampi i përfaqësueses së Argjentinës në Rusi, për të takuar me partneren e tij, ndërsa më pas edhe lojtarët e tjerë u shpërndanë.
Ndërkohë, as trajneri shumë i kritikuar gjithandej, Jorge Sampaoli, për të cilin thuhet se kishte humbur pushtetin që në ndeshjen me Kroacinë, nuk është kthyer me aeroplanin e ekipit. Ai mësohet të ketë qëndruar në Rusi, pasi rikthimi në vendlindje do t’i hapte shumë telashe si pasojë e paraqitjes së dobët të skuadrës “Albiceleste” në Botërorin e Rusisë. /Insporti.com