Futbollistët serbë merren me këpucët e Shaqirit

Futboll 29 Maj 2018 11:08

Ditë më parë u publikuan se si do të dukeshin këpucët e Xherdan Shaqirit, i cili do t’i mbath ato në Kampionatin Botëror në Rusi, ku gjilanasi do të marrë pjesë me Zvicrën.

Këpucët e Shaqirit, janë bërë temë edhe në Serbi dhe ka ditë që mediat atje janë duke shkruar për to, e së fundmi kjo gjë u bë temë edhe në mediumet e vendeve tjera në rajon.

Këpucët Nike Mercurial, të cilat në thembrën e njërës e kanë flamurin e Zvicrës, kurse në tjetrën atë të Kosovës, ishin publikuar në rrjete të ndryshme sociale.

Reagimi në Serbi erdhi normalisht për shkak të flamurit të Kosovës që Shaqiri jo vetëm tani, por gjithmonë e ka pasur në këpucët e tij dhe nga mediat serbe ky gjest i futbollistit me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit, është cilësuar si provokim kundrejt Serbisë.

Mirëpo, jo vetëm mediat në Serbi janë marrë me këpucët e Xherdan Shaqirit, pasi këtyre ditëve edhe disa lojtarë të përfaqësueses së Serbisë në futboll, kanë reaguar po ashtu, ku më i zëshmi thuhet se ka qenë mbrojtësi 33 vjeçar, Dusko Tosic. /Insporti.com

-->