Futbollisti i Drenicës “thumbon” Gjilanin para ndeshjes që luhet nesër

Futboll 09 Nëntor 2019 18:51

Drenica do të udhëtojë nesër drejt Gjilanit, për përballje ndaj këtyre të fundit.

Skuadra drenicase vjen pas një fitore në mesjavë ndaj Trepçës 89, e cila ngriti moralin e kësaj skuadre.

E mbrojtësi me shumë përvojë i Drenicës, Përparim Osmani ka folur për Gazeta Olle lidhur me ndeshjen ndaj “Skifterave”.

Fillimisht anësori i Drenicës tha se tashmë pas rezultateve të fundit atmosfera në skuadër është në nivel të duhur.

“Rezultatet e fundit na kanë dhënë pak qetësi, kurse atmosfera në klub është e mirë falë pikëve që kemi marr deri më tani”, tha fillimisht Osmani.

Tutje, 31 vjeçari ka komentuar edhe ndeshjen ndaj Gjilanit, liderit aktual të Superligës.

“Ndaj Gjilanit nuk do të jetë e lehtë, janë lider dhe janë duke treguar një vendosje të qëndrueshme në lojë. Ne i kemi bërë përgatitjet e duhura gjatë këtyre ditëve për këtë takim dhe do të mundohemi ta bëjmë më të mirën dhe të kthehemi të pamposhtur”, përfundoi Osmani.

Ndryshe, Drenica pas 14-të xhirosh, numëron 20 pikë, tetë më shumë se pozita që dërgon në Ligën e Parë.