Futbollisti i Dukagjinit të Klinës në karantinë

Futboll 16 Mars 2020 13:49

Pandemia Covid19 tashmë ka “paralizuar” edhe aktivitetet sportive në Kosovë. Ditë më parë Qeveria e Kosovës pezulloi të gjitha aktivitetet sportive për shkak të pandemisë, duke bërë që të gjitha ligat të pezullohen. Të gjitha klubet e Superligës dhe Ligës së Parë kanë liruar futbollistët e tyre nga obligimet. Qyteti i Klinës në Superligë përfaqësohet nga Dukagjini dhe tashmë gjithë futbollistët dhe stafi janë në karatinë, shkruan Insporti.com.

Arbnor Luta

Në Klinë është konfirmuar pandemia Covid19, pasi një qytetare italiane është infektuar, kjo ka bërë që Qeveria të izolojë gjithë qytetin.

Për Insportin mesfushori i Dukagjinit, Ilir Mustafa ka rrëfyer situatën aktuale në të cilën gjendet qyteti i Klinës dhe klubi i tij. Mustafa është shprehur se te futbollistët nuk ka panikë dhe se janë udhëzuar nga drejtuesit e klubit të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. “Ne nuk kemi krijuar panikë, kemi respektuar të gjitha udhëzimet e drejtuesve të klubit, jemi vetëizoluar në shtëpitë tona. Po ashtu, vendimi i Qeverisë dhe i FFK-së për të pezulluar ligat është shumë i mirë dhe në kohën e duhur”.

 

Mustafa thotë se pak kohë para se të merrej vendimi që të izolohej i gjithë qyteti i Klinës, është larguar për vendlindjen e tij, Prizren.

Ish mesfushori i Lirisë, po ashtu ka rrëfyer se te futbollistët nuk janë shfaqur asnjë simptomë, ani pse nuk u janë bërë testet. “Shpresoj që nuk ka të prekur, shëndeti është mbi të gjitha, unë kam marrë të gjitha masat dhe jam duke i respektuar deri në maksimum. Besoj që shumë shpejt do ta kalojëm këtë situatë dhe do të vazhdojmë kampionatin”.

Deri më tani në Kosovë nuk ka asnjë futbollist të infektuar me virusin Covid19. Gjithsej në Kosovë janë 13 raste të konfirmuara.

Dukagjini i Klinës renditet në pozitën e fundit në tabelë me 10 pikë pas 22 xhiro të zhvilluara. /Insporti.com/

 

-->