Futbollisti që mund të zgjedhë në mesin e 6 kombëtareve

Futboll 18 Tetor 2019 23:57

Familja është një prej kolonave më të rëndësishme të një personi, e akoma më shumë për futbollistët. Jo vetëm për vlerat e respektit që duhet të përçojë, por në futboll trashëgimia transformohet në një faktor vendimtar, kur vjen puna te kombësia dhe rrjedhimisht te përfaqësuesja. Një rast flagrant është ai i mbrojtësit të Zulte Waregem, Sandy Walsh.

Bëhet fjalë për një futbollist holandez, apo belg, në mos anglez dhe shumë prejardhje të tjera. Të paktën kështu raporton “English Players Abroad” që merret me monitorimin e futbollistëve anglezë që aktivizohen në shtete të tjera.

Sipas të njëjtit burim, djaloshi mund të zgjedhë mes 6 përfaqësuesesh në rast se ai do të grumbullohej.

Deri tani mbrojtësi ka luajtur me ekipet zinxhir të përfaqësueses holandeze, por nuk është grumbulluar ende nga Kombëtarja A e “Tulipanëve”. Falë kompozimit të ADN-së së tij, Walsh mund të zgjedhë mes 6 përfaqësuesesh.

Mbrojtësi ka lindur në Belgjikë dhe ka luajtur te Genk, por babai i tij është anglez dhe ka rrënjë irlandeze. Mamaja? Histori e gjatë: holandeze me origjinë indoneziane dhe zvicerane. Gjithsesi, vetë Walsh duket se ka zgjedhur Kombëtaren e Anglisë: “Ndjek shumë futbollin anglez, ndaj do të më pëlqente të luaja për Kombëtaren e Anglisë. Kryqëzoj gishtat me shpresën që një ditë të luaj për Anglinë”.

Mes Belgjikës, Holandës, Indonezisë, Zvicrës, Irlandës dhe Anglisë Walsh ka zgjedhur të përfaqësojë këtë të fundit, nëse do të grumbullohet.

-->