FVK dhe FSHV vazhdojnë bashkëpunimin, tre volejbollistë i bashkohen Kosovës

Volejboll 26 Shkurt 2022 18:40

Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci dhe ai i Shqipërisë, Erlind Pëllumbi kanë nënshkruar sot marrëveshjen e përbashkët, që i mundëson tre volejbollistëve të ndryshojnë Kombëtaren përfaqësuese. Nga ajo e Shqipërisë, kalojnë tek e Kosovës.

Lajm i madh për volejbollin kosovar është angazhimi i volejbollistit Gazmend Husaj në fanellën e ‘Dardanëve’, i cili ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur kosovarë jashtë kufijve ballkanik.

Husaj aktualisht luan për ekipin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Shabab Al Ahli.

Ai ka fituar shumë çmime prestigjioze ekipore dhe individuale duke luajtur në vende si Turqia, Katari dhe Zvicra, përfshirë çmimin si pritësi më i mirë në Ligën Zvicërane më 2009/10 dhe shënuesi më i mirë në Ligën e Katarit më 2012/13.

Husaj i bashkohet Kombëtares së Kosovës me një bagazh të pasur profesional, teksa rrugën e tij e kanë ndjekur edhe dy volejbollistët tjerë, Adriatik Kajtazi dhe Bardhyl Hajdaraj, të cilët poashtu kalojnë nga Kombëtarja e Shqipërisë tek ajo e Kosovës.

Kajtazi është aktualisht pjesë e Pejës por në të kaluarën ka luajtur në Katar dhe Shqipëri, poashtu edhe në Maqedoni. Në Kosovë është shpallur disa herë si lojtari më i mirë në vend, teksa ka dhënë kontribut të madh në Kombëtaren e Shqipërisë ndër vite.

Hajdaraj poashtu është një emër i njohur në volejbollin kosovar. Ai ka luajtur për Studentin e Tiranës dhe disa ekipe kosovare duke fituar tituj kampioni dhe kupa të tjera, si dhe është shpallur disa herë lojtari më i mirë në Kosovë.

Kjo treshe kishte përfaqësuar Shqipërinë gjatë kohës kur volejbolli kosovar ende nuk ishte pranuar ndërkombëtarisht.

-->