Gabim i rëndë, apo kurdisje e hapur?

Ndeshja e Ligës së parë ndërmjet Trepçës dhe Fushë Kosovës e xhiros 17-të, ishte ndeshja që pushtoi bastet botërore.
Kjo ndeshje është përfshirë në buletinin e bastores më të madhe në botë, “bet365.com”.
Pas përfshirjes në buletin të “bet365.com”, janë ngritur dyshime për një rezultat të fiksuar para ndeshjes, me marrëveshje të dy klubeve.
Kompania e basteve “bet365.com” e kishte ndeshjen “Live” deri tek rezultati 2:1. Në momentin që rezultati u bë 2:1, “bet365.com” fshiu ndeshjen nga sistemi i saj.
Një dyshim tjetër është që ndeshja ishte paraparë të zhvillohet të shtunën, por ishte shtyrë për të hënën (25 shkurt), për shkak të mungesës së ujit dhe energjisë elektrike në stadiumin olimpik “Adem Jashari”.
Ndeshja përfundoi në të mirë të skuadrës vendase me rezultat 2:1 dhe kishte kuotën më të madhe në bastore, prej 2-shit në 1-sh.
Burime të Insportit, të afërta me njërin nga klubet, bëjnë të ditur se ndeshja ka qenë e kurdisur dhe ka qenë në buletin të bastoreve dhe është dashur që Trepça të fitojë në fushë ndërsa të humbë në tavolinë.
Dyshohet që “hile” është bërë me lojtarin Valmir Azemi, i cili është aktivizuar në lojë edhe pse ka qenë i suspenduar, duke i mundësuar kështu Fushë Kosovës të drejtën e ankesës dhe mundësisë së fitores në tavolinë.
Insporti po ashtu ka tentuar të kontaktojë me zyrtarët e të dy klubeve, por që qasja ka qenë e pa mundur.
Insporti ka kontaktuar me zyrtarin e FFK-së për Integritet, Ejup Osmani, lidhur me këtë ndeshje, i cili ka deklaruar se FFK-ja ka mbledhur të gjitha informacionet rreth kësaj ndeshje dhe tashmë çështja ka kaluar në organet shtetërore.
“Sa i përket anës tonë (Federatës së Futbollit) kemi mbledhur të gjitha informacionet që na janë dashur dhe tashmë çështja ka kaluar në organet shtetërore, të cilat kanë nisur procedurat e tyre. Ne nuk kemi të bëjmë me hetime, prokuroria e shtetit do të merret me këtë ndeshje”, ka thënë Osmani për Insporti.com.
Rreth kësaj ndeshjeje ka pasur dhe reagime nga tifozët e klubit Trepça, të cilët kanë komentuar në faqen zyrtare të klubit në rrjetin social, Facebook.
“Mirë ish dalë. Krej shehri e kish ditur që loja është e kurdistë, prej 2-shi në 1-sh të gjithë e kishin luajtur”, shkruan ndër të tjera Mitro Hills.
Reagime ka pasur dhe nga tifozëria e klubit të Fushë Kosovës, “Pampurat” të cilët kanë lëshuar një komunikatë zyrtare, në të cilën thuhet se do të bojkotojnë skuadrën.
“Kerkush nuk mundet me lu me emocionet e tifozeve! Po qarkullojne zera qe ndeshja e fundit ishte e kurdisur dhe nese kjo del ne shesh direkt apo indirekt nuk do te jene gjerat mire ne ditet e javet ne vijim.
Me kete lloj ‘bordi’ i cili eshte i mbyllur e vetjak nuk do te kete sukses te klubi jone i Zemres. Prandaj NE nuk do te jemi pjese e asnje ndeshje ne tribuna, nuk jemi pjese e pazareve te ndryshme per interesa personale. Do mundohemi si gjithmone qe klubin tone te zemres ta mbrojme nga keso interesash!”, shkruajnë Pampurat.
Lidhur me këtë ndeshje është marrë vendim nga Komision i Garave i Ligës së Parë të Kosovës në futboll, pas shtrimit të ankesës nga klubi i Fushë Kosovës.
Ky komision ka vendosur që ndeshja t’i takojë Fushë Kosovës me rezultat zyrtar 3:0, me arsyetimin se futbollisti i KF Trepçës, Valmir Azemi, është aktivizuar edhe pse nuk ishte në protokollin zyrtar të ndeshjes.
Më poshtë keni vendimin e plotë:
Vendim i KG-së për ndeshjen Trepça – Fushë Kosova
Komisioni i Garave i Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti, Abdyl Bellopoja me rastin e regjistrimit e ndeshjeve konstatoi se KF Fushë Kosova ka ushtruar ankesë në parregullsinë e ndeshjes, ndërmjet KF Trepça – KF Fushë Kosova, konform nenit 63 të Propozicioneve të Garave e nxori këtë:
V E N D I M
Miratohet ankesa e KF Fushë Kosova si e bazuar dhe ndeshja e javës së 17-të të Ligës së Parë ndërmjet KF Trepça – KF Fushë Kosova, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Fushë Kosova.
ARSYETIM
Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Trepça – KF Fushë Kosova, e vlefshme për javën e 17-të të Ligës së Parë, konstatoi se KF Fushë Kosova ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes në protokoll të lojtarit të KF Trepça me nr lic 14 Valmir Azemi dhe me nr ID 001261M98 për shkak se lojtari është aktivizuar në lojë por i njëjti nuk ka qenë i shënuar në protokollin e ndeshjes.
Gjatë administrimit të provave Komisioni i Garave ka konstatuar se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuar dhe i përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe vendimmarrje nga Komisioni i Garave .
Pas shikimit dhe verifikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve Komisioni i Garave ka vërtetuar se lojtari i lartëpërmendur është aktivizuar në lojë në min e 63-të, që në faqen e parë të protokollit nuk është i shënuar kurse në faqen nr 2 figuron emri i tij te rubrika e ndërrimeve me nr 14. Nga kjo saktësohet se lojtari nuk ka qene i shënuar në protokoll por është aktivizuar në lojë pa të drejtë, prandaj kemi shkelje te nenit 76 te Rregullores se Garave paragrafi 1, prandaj, ankesa miratohet si e bazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Fushë Kosovës, konkretisht kemi shkelje të nenit 76 të Rregullores së Garave paragrafi 3 pika 7, ku ka luajtur me lojtar i cili nuk është shënuar në protokoll para fillimit të ndeshjes.
Po ashtu Komisioni i Garave konform nenit 76 të Rregullores së Garave paragrafi 4. Përveç regjistrimit të ndeshjeve me rezultat zyrtar inicion procedurë edhe kundër klubit, lojtarit si dhe personave zyrtar të KF Trepça.
Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në diapozitiv të këtij vendimi.