Gashi sonte në ring me njeriun që sfidoi Joshuan

Sporte luftarake 22 Dhjetor 2018 19:34

Senad Gashi sonte do të jetë protagonist në një nga para meçet e ngjarjes së madhe të boksit botëror, ku meçi kryesor është revanshi midis gjigantëve britanikë Dillian Whyte dhe Dereck Chisora.

Gashi, hyri si zëvendësues i “minutës së fundit” për një boksier të lënduar dhe do të jetë kundërshtar i veteranit të peshave të rënda Carlos Takam.

Për Gashin, ky është pa dyshim meçi më i rëndësishëm në karrierën e tij dhe rasti i dytë serioz që i jepet për të mundur një kundërshtar të madh dhe për tu ngritur në rang listat botërore, raporton Insporti.

Kujtojmë se këtë vit, ky boksier, i lindur në Pejë sfidoi gjermanin Tom Schwarz për titullin WBO Inter Continental, por u diskualifikua për shkak të ankesave të vazhdueshme të kundërshtarit dhe pas vërejtjeve të vazhdueshme të gjyqtarit për goditje të parregullta.

Ky vendim kishte shkaktuar shumë bujë dhe reagime nga ana e Gashit dhe përkrahësve të tij dhe atij ia kishte vështirësuar gjetjen e ndonjë kundërshtari serioz.

Mirëpo, meçi me veteranin Takam që zhvillohet sonte në Londër, mund të jetë pika e kthesës në karrierën e këtij boksieri, i cili ka 17 fitore dhe një humbje me diskualifikim si profesionist.

Në anën tjetër, Carlos Takam, veterani 38 vjeçar ka 41 meçe si profesionist dhe 35 fitore, mirëpo, në dy meçet e fundit ka humbur nga Anthony Joshua, të cilin e sfidoi për tre tituj bote, dhe nga Dereck Chisora, bën të ditur Insporti duke u bazuar në statistikat zyrtare të karrierës impresive të këtij veterani.

Insporti ju sjell edhe pamjet e matjes zyrtare të boksierëve para fillimit të meçit.

Insporti ua sjell linkun për ta shikuar këtë meç live në desktop, nëse klikoni këtu ose në opsionin tjetër këtu.