Gattuso largohet nga Milani, mund të menaxhojë në Angli

Futboll 23 Prill 2019 12:21

Gennaro Gattuso po e përgatit terrenin për veten e tij në rast se dështon të kualifikohet në Ligën e Kampionëve me Milanin në fund të këtij sezoni.

Sidoqoftë marrëdhënia e tij me Leonardon ka qenë e tensionuar përgjatë gjithë kohës dhe pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2021, Rino mund të largohet duke qenë se drejtori i Rossonerëve kërkon një trajner më të madh për të udhëhequr skuadrën, e aq më keq nëse nuk e arrijnë objektivin e tyre në fund të sezonit.

Mediat në Itali kanë njoftuar se Gattuso ka darkuar në një restorant me agjentin e njohur Jorge Mendes.

Megjithatë në klubin kuqezi e panë thjesht si një darkë mes miqsh, sepse dihet marrëdhënia e ngushtë që ka trajneri me agjentin.

Ndër të tjera, La Gazzetta dello Sport ka bërë me dije se trajneri i ka kërkuar Mendesit që të jetë i përgatitur për t’i gjetur një klub për sezonin e ardhshëm nëse gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të.

Newcastle United është një alternativë për trajnerin italian, klub që mendohet se ia ka parashtruar si ide agjentit.

Sidoqoftë për këtë lëvizje duhet të pritet deri në fund të sezonit sepse edhe trajneri aktual i skuadrës angleze, Rafa Benitez është në bisedime për të rinovuar kontratën edhe pse duket e vështirë të ndodhë një gjë e tillë.