Gazmend Demolli me “full gas” në Portugali

Sporte të tjera 06 Tetor 2021 12:49

Pak ditë para fillimit të garës së madhe në disiplinën malore FIA Hill Climb Masters, e cila prej 08 -10 tetor mbahet në Braga të Portugalisë, Gazmend Demolli shprehet i gatshëm për këtë sfidë mjaft serioze.

Gazi është i njohur për guximin dhe përkushtimin në garë, ndërsa Audi S3 e tij si një nga veturat më të shpejta në Kampionatin e Kosovës. Me këtë qasje ai niset edhe drejt Portugalisë. “Jam i kënaqur që do ta sfidojë veten në një garë kaq prestigjioze. Jam i vetëdijshëm se konkurrenca do të jetë shumë e fortë, por unë do ta jap maksimumin tim dhe pres të arrij rezultat të mirë”, është shprehur optimist Demolli.

Ai vlerëson që edhe vetura është në gjendje të mirë, që i jep edhe më shumë të drejtë të besojë në rezultat të mirë.

“Vetura momentalisht është në gjendje shumë të mirë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë si duhet”, ka shtuar Gazmend Demolli.

Përveç tij, Kosovën në Braga do ta përfaqësojnë edhe Arjeta Rysha, Mimoza Jetullahu, Liridon Kalenderi, Bardhyl Canolli, Valon Jaha e Faton Rama.  

-->