Gjesti i Aspas po bën xhiron e botës, lëndohet dhe heq fanellën për t’u ndëshkuar

Futboll 06 Dhjetor 2021 16:08

Sulmuesi dhe kapiteni i Celta Vigos, Iago Aspas shënoi një gol mjaft të bukur në sfidën ndaj Valencias mbrëmjen e djeshme, megjithatë më shumë u bë protagonist për një gjest mjaft të zgjuar gjatë festimit.

Futbollisti 34-vjeçar u dëmtua në aksionin e golit dhe teksa po vraponte për të festuar, kuptoi se nuk mund të vijonte më ndeshjen, por para se të kërkonte zëvendësim, vendosi të heqë fanellën në mënyrë që të ndëshkohet me karton të verdhë.

Arsyeja? I duhej edhe një karton i verdhë për t’u pezulluar dhe vendosi ta marrë pikërisht në këtë ndeshje, në mënyrë që ta shlyejë në sfidën e radhës, ku gjithsesi nuk do të luante, pasi është dëmtuar.

Megjithatë mënyra si vendosi të marrë kartonin e verdhë, ishte lehtësisht e kuptueshme dhe mund të bëhet objekt hetimi, por Aspas nuk kishte më kohë për t’u ndëshkuar, ndaj pa pikërisht heqjen e fanellës si alternativën e fundit.

Sulmuesi 34-vjeçar shënoi golin e Celtës në minutën e 11’ dhe u zëvendësua pak çaste më vonë, ndërsa skuadra e tij u mposht 1-2 me përmbysje nga skuadra e Valencias.

-->