Gjiganti italian në garë për shërbimet e Granit Xhakës

Futboll 25 Dhjetor 2019 16:30

Eksperienca e Granit Xhakës në Arsenal duket se po shkon drejt fundit. Për mesfushorin kosovar flitet se mund të rikthehet në Bundesligë, ku e do Hertha Berlini. Por, për 27 vjeçarin duket se është futur në garë edhe Milani

Granit Xhaka sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Arsenali në afatin kalimtar të janarit.

Mesfushori kosovar po e kërkon ekipin e ri pasi eksperienca e tij në Londër duket se ka marrë fund.

Përfaqësuesi zviceran e kishte një zënkë me tifozët “Gunners” dhe më pas iu mor shiriti i kapitenit.

Nga ajo kohë, 27 vjeçari nuk e ka gjetur qetësinë dhe dyert e largimit atij i janë hapur.

Për ish-futbollistin e Baselit dhe Borussia Monchengladbachut spekulohet se mund të rikthehet në Bundesligë, ku e kërkon Hertha Berlini.

Mirëpo, portali “transfermarketweb.com” shkruan se në garë për Xhakën është futur përsëri Milani.

“Rossoneri” janë duke planifikuar të përforcohen në janar për pjesën e dytë të kampionatit dhe mesfushori kosovar duket se është njëri prej objektivave të gjigantit italian.

-->