Gjilani e Drenica përballë mëtuesve për titull

Futboll 20 Prill 2019 09:29

Kampionati në IPKO Superligën e Kosovës në futboll vazhdon sot me dy ndeshje që zhvillohen në kuadër të javës së 28-të.

Në të dyja ndeshjet skuadrat mikpritëse, Gjilani e Drenica do të kenë punë shumë vështirë, pasi përballen me Prishtinën, përkatësisht Llapin, që bashkë me Feronikelin do të luftojnë deri në fund për titullin e kampionit.

Gjilani synon fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Gentjan Mezani. “Të kuqtë” e kanë vetëm një fitore në pranverë, dhe atë ndaj KEK-ut, andaj trepikëshi do të jetë synim kryesor. Në anën tjetër, Prishtina udhëton për gjah të plotë, duke marrë parasysh se vetëm në këtë mënyrë e ruan hapin me rivalët për titull.

Një sfidë tjetër shumë interesante është ajo që luhet në “Bajram Aliu” mes Drenicës dhe Llapit. Kuqezinjtë kërkojnë trepikëshin për t’iu shmangur edhe më shumë ekipeve që luftojnë t’i ikin barazhit, ndërsa imperativ të vetëm fitoren e ka edhe ekipi i Tahir Batatinës, që vjen pas katër fitoreve radhazi.

Ndeshjet fillojnë në orën 15:00.