Gjilani triumfon me shumë ‘mund’ kundër Dukagjinit

Futboll 24 Shkurt 2022 15:14

Gjilani ka fituar duelin me Dukagjinin me rezultat 2-1. Ishte një ndeshje jashtëzakonisht interesante ku u panë edhe tri penallti e një karton i kuq.

Gjilani pati iniciativën në pjesën e parë dhe në minutën e 23-të fituan penallti.

I saktë nga pika e bardhë ishte kapiteni i gjilanasve Gerhard Progni që kaloi vendasit në epërsi 1-0.

Pas golit të skuadrës vendase, ishin mysafirët që morën iniciativën në lojë duke rrezikuar më shumë.

Në minutën e 44-të gjyqtari Besfort Kasumi ndëshkoi me karton të kuq portierin e vendasve Enea Koliqi i cili luajti me dorë jashtë zonës së 16 metërshit.

Gjithsesi pjesa e parë përfundoi me epërsinë e vendasve 1-0.

Fillimi i pjesës së dytë i takoi skuadrës mysafire që tregoi më shumë nga loja. Ilir Syla shënoi nga afërsia, por golin e tij e anuloi gjyqtari Besfort Kasumi pas rishikimit në VAR.

Goli i Sylës u anulua pasi paraprakisht topi kishte shkuar te ai nga dora e Nikolic i cili ishte fauluar nga Yll Hoxha, dhe Kasumi akordoi penallti.

I saktë nga pika e bardhë u tregua Mentor Zhdrella duke barazuar shifrat në 1-1.

Tetë minuta më vonë Gjilani fitoi një tjetër penallti, të cilën përsëri e ekzekutoi Gerhard Progni dhe shënoi për 1-.

Mysafirët deri në fund tentuan të gjenin golin e barzimit duke krijuar raste të mira me Januzin, Nikolic, Merlakun e Gashin, por pa sukses.

Kësisoj skuadra e Ismet Munishit ka marrë tri pikë të mëdha dhe tani zë vendin e dytë në tabelë me 42 pikë, sa ka edhe Ballkani si lider.

Dukagjini mbetet në vendin e nëntë me vetëm 18 pikë.

Gjilani ndeshjen e ardhshme e zhvillon në udhëtim te Prishtina, derisa Dukagjini luan në Drenas përballë Feronikelit.

-->