Gjimshiti, muri tetëmilionësh i Atalantës që ndali Icardin dhe Ronaldon

Futboll 03 Shkurt 2019 15:48

Kur Gasperini e zgjodhi Berat Gjimshitin si titullar në disa ndeshje në fillim të sezonit dukej një bast i rrezikshëm.

Djaloshi në verë ishte një i panjohur, por kush e pa nga afër kuptoi tek ai dëshirën për të punuar, për të kaluar limitet dhe për t’u përmirësuar.

I aftë që në harkun kohor të pak ditëve të “anulojë” dhe të markojë lojtarë si Mauro Icardi apo Cristiano Ronaldo. Në ndeshjen e kampionatit kundër Juventusit shënoi një autogol, të cilin sa herë e sheh qesh… Por profesionalizmi dhe shpirti prej luftëtari e kanë ndihmuar që të kalojë çdo moment vështirësie dhe të arrijë majat.

Ashtu siç ndodhi pikërisht ndaj Juventusit. Sërish rivali që e detyroi të shkaktonte penallti. Por, në Kupën e Italisë, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ishte transformuar. Ishte lideri i mbrojtjes dhe udhëhoqi ekipin në fazën defensive. Dukej sikur kishte luajtur një jetë në mes të Toloit dhe Palominos, aq sa shumë të tjerë harruan që Gasperini kishte në stol edhe një mbrojtës si Mancini.

Muri shqiptar- Ndaj “Zonjës së Vjetër” në çerekfinalet e Kupës bëri një ndeshje në limitet e perfeksionit. Markoi mjaft mirë Cristiano Ronaldon, por nuk u driblua kurrë gjatë 90 minutave, edhe pse përballë kishte jashtëtokësorët si CR7, Paulo Dybala dhe lojtarë të tjerë si Bernardechi, Duglas Costa, etj.

Nuk humbi asnjë duel dhe kishte saktësi pasimesh 82%. Një lajm i mirë për Christian Panucci dhe Kombëtaren shqiptare. Me performancat e shkëlqyera në Serinë A dhe në Kupë, mbrojtësi kuqezi ka arritur të shtojë edhe vlerën e tij në treg.

Sipas “Gazzeta Dello Sport”, ai është një nga futbollistët e Atalantës që ka pësuar rritje. U transferua si lojtar pa kontratë nga Zyrihu, ndërsa tani kartoni i tij kushton 8 milionë euro. Në ditët e fundit qarkullon lajmi se Interi ka shfaqur interes për shqiptarin dhe e sheh si zëvendësuesin ideal të Mirandës apo Ranokias./Panorama/

-->