Gjithçka gati për turneun e boksit “Pavarësia”, pritet të ketë boks kualitativ

Sporte të tjera 12 Shkurt 2022 12:58

Në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë nesër do të organizohet edicioni 14-të me radhë i Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Pavarësia”.

Ky turne tradicional që organizohet nga Federata e Boksit të Kosovës, bën bashkë shtetet e rajonit në Kosovë, por që kësaj radhe, për shkak të pandemisë Covid-19, të pranishëm do të jenë vetëm boksierë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli për KosovaPress, zbuloi më shumë detaje rreth këtij turneu, që sipas tij, do të ofrojë duele dhe boks mjaftë cilësor dhe që do të shërbejë si parapërgatitje për boksierët në prag të turneut botëror të boksit në Strangjat të Bullgarisë.

“Ne gjithmonë sipas kalendarit të garave që e kemi, Federata e Boksit që e planifikojmë, së pari i kemi përgatitjet bazike të boksierëve dhe pastaj në muajin shkurt është edicioni i 14-të i Turneut Ndërkombëtar “Pavarësia”, por për shkak të pandemisë këtë vit kemi ftuar vetëm boksierët nga Shqipëria dhe nga Maqedonia dhe Kosova. Do të jetë një turnir një ditor ku do të marrin pjesë siç e ceka tri shtete, besoj që do të ketë një boks kualitativ dhe këtu do të provojnë boksierët tonë të cilët pas një javë, më 19 shkurt do të udhëtojnë në turneun më të madh në kalendarin e garave botërore në Strangjat, i cili do të mbahet në Bullgari, ku na mungon nga vitet e 80-ta kur kanë qenë boksierët na mungon kjo medalje dhe besoj që këtë vit boksierët tanë do të stolisen me medalje nga ky turnir”, tha Demolli.

Demolli thotë se prania e tifozëve në palestër për të parë këtë turne do të jetë e kufizuar, ashtu siç e kërkojnë rregullat e përcaktuara nga autoritete shëndetësore, duke ruajtur distancën, kurse të gjithë boksierët do të testohen para se të hyjnë në garë.

“Shqipëria do të jetë me tre boksierë dhe një femër boksierë, kurse Maqedonia do të jetë më katër boksierë, të tjerët do të jenë boksierë nga Kosova. Por siç e dimë në këtë situatën me pandemi që është shtuar nga viti i ri e këndej ne do ta mbajmë në Palestrën e Sporteve në Prishtinë. Besoj që tifozë do të ketë por besoj që do të renditen ose do të ulen që çdo një ulëse të jetë e lirë për shkak të pandemisë kurse boksierët do të testohen të gjitha para garave dhe besoj që do të shkojë gjithçka në rregull, nuk do të ketë problem”, ka theksuar Demolli.

Sipas agjendës së zbuluar nga FBK, peshimi i boksierëve do të bëhet nga ora 08:00, kurse duelet fillojnë nga ora 12:00.

-->