Gjuajtjet e lira – Messi votohet si më i miri në histori

Futboll 04 Prill 2019 10:18

Lionel Messi e shënoi golin e 47-të nga gjuajtjet e lira në karrierën e tij në ndeshjen e së martës dhe kjo ka bërë që tifozët e futbollit të votojnë në favor të pesë-herë fituesit të Topit të Artë për lojtarin më të mirë për goditjet e lira.

SportBible e vendosi një anketë në Twitter për tifozët e futbollit dhe nga 48 mijë tifozët që morën pjesë, 42 për qind votuan për Lionel Messin, i cili i mposhti David Beckhamin, Juninho Pernambucanon dhe Ronaldinhon për t’u shpallur lojtari më i mirë për goditjet e lira.

Beckhami, i famshëm për golat e bukur për Manchester Unitedin e ekipin kombëtar të Anglisë në karrierën e tij, e mori 26 për qind të votave, duke e lënë pas Juninhon me 23 për qind. Ronaldinho mbeti i katërti, me 9 për qind.

Këtë sezon, Messi i ka lënë shumë prapa vetes futbollistët e tjerë sa i përket statistikat për golat e shënuara nga gjuajtjet e lira. Deri më tani, ai e ka arritur shifrën prej 12 gola nga këto pozita, më shumë sesa të gjithë të tjerët.

Sa i përket teknikës së tij, Marca e ka analizuar atë detajisht, duke raportuar se këmba e argjentinasit kur gjuan goditje të lira vendoset në kënd prej 50 shkallësh.

Ai e vendos pothuajse të gjithë këpucën e tij në tokë para se ta godasë topin, duke i dhënë goditjes më shumë stabilitet dhe kontroll.

Për ta përmirësuar saktësinë, Messi i harkon shpatullat e tij dhe gjoksin, duke u kërrusur për ta vendosur trupin në një pozitë më kompakte.