Gjyqtari shqiptar i FIBA-s: Në Gjermani do të rinis edhe basketbolli, ja masat e rrepta

Basketboll 22 Maj 2020 20:00

Gjermania nuk po i “rrëmben” Ballkanit vetëm doktorë dhe infermierë. Kohët e fundit, në vendin më të zhvilluar europian ka nisur një jetë të re gjyqtari më i mirë shqipar i basketbollit, Gentian Cici, i cili tregoi për “FanZone” se si do të kthehen në parket skuadrat gjermane.

“9 muaj më parë vendosëm që të vinim në Gjermani. I bëra kërkesë Federatës Gjermane dhe jam pjesë e këtij kampionati dhe gjithashtu edhe arbitër i FIBA-s. Ambientohesh kollaj, problem i vetëm është gjuha, por jam mirë. Futbolli ka filluar prej javësh. Basketbolli fillon zyrtarisht në 6 qershor në Gjermani. Do të jetë vendi i parë që do të rifillojë baskesketbollin. Kampionati do të luhet vetëm në një vend, vetëm në Mynih. Do të jem edhe unë për të arbitruar. Thjesht duhet një procedurë rigoroze e higjienës. Në Gjermani masat janë shumë rigoroze. Unë duhet të udhëtoj rreth 800 kilometra me makinë. Nuk ka aviona apo trena. Do të kryej 2 teste, një këtu në Hamburg, një 2 ditë para rifillimit të kampionatit. Nuk do të ketë asnjë kontakt me njerëz të jashtëm.”

Protokoll i rreptë: Basketbolli është sport kontakti. Lojtarët do t’u nënshtrohen të njëjtave procedurave. Nuk ke si e mbron lojtarin në basketboll pa pasur kontakt. Është e pamundur. Edhe ekipet do të jenë të izoluara. Në zonën e fushës ka një perimetër sigurie. Nëse topi del jashtë 2 metër, ai do lihet dhe do merret një top tjetër i higjienizuar. Janë aq rigoroze masat sa është shumë e vështirë të ketë të infektuar. Kampionati nuk do të ndërpritet edhe nëse del ndonjë lojtar pozitiv.

I plotësuar në karrierë: Unë pothuajse i kam arritur të gjitha në karrierën time. Më mungojnë vetëm Lojërat Olimpike. Dua të marr pjesë atje, edhe po nuk mora pjesë nuk është në fundi i botës. Liga e Basketbollit në Gjermani është një nga 5 më të fortat në botë.

Basketbollistët shqiptarë: Publiciteti i lojtarëve shqiptarë nuk bëhet si duhet. Ata fare mirë mund të luanin në Ligat Europiane. Mund të veçoj Ermal Kuqon, Gerti Shimën, Bilalin…

-->