Gjysmëfinale ëndrrash në Roland Garros, rikthehet “klasikja” Federer – Nadal

Tenis 05 Qershor 2019 09:42

Roger Federer dhe Rafael Nadal do të përballen mes tyre në gjysmëfinalen e Grand Slam-it të Roland Garros.

Dy ikonat e tenisit triumfuan gjati ditës së djeshme në ndeshjet çerekfinale të turneut të fushave me dhe që po zhvillohet në Paris, duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale.

Një sfidë ëndrrash mes dy prej legjendave të këtij sporti, që për herë të parë do të përballen mes tyre këtë vit.

Për herë të fundit ata kanë luajtur mes vete në vitin 2017. Federeri i ka fituar 5 përballjet e fundit mes tyre, ndërsa Nadal udhëheq 23-15 në ndeshjet direkte.

Në çerekfinale, kampioni në fuqi i Roland Garros, Rafael Nadal mundi me lehtësi 3-0 (6-1, 6-1, 6-3) japonezin Kei Nishikori.

Një takim që ishte si një stërvitje për spanjollin, që në të trija setet pati një epërsi të madhe. Nadal, fitues 11 herë i këtij turneu, mbetet edhe këtë vit favorit, pasi fushat me dhè janë sipërfaqja e tij e preferuar.

Përballë do të ketë zviceranin Roger Federer, që në çerekfinale mundi 3-1 (7-5, 4-6, 7-6, 6-4) patriotin e tij Stanislas Wawrinka. Një duel shumë më i bukur dhe i fortë se i mëparshmi, i ndërprerë për gati një orë në setin e katërt për shkak të shiut.

Kjo ishte një fitore vështirë e Federerit, që në dy sete pati nevojë për “tie break” për ta mundur Wawrinkan në këtë meç.

Për herë të fundit, Nadali e Federeri në Roland Garros janë ndeshur në vitin 2011, ku spanjolli kishte triumfuar në finale për ta fituar titullin e gjashtë të Roland Garrosit.