“Godet”Alban Veseli: Feronikeli do të mbetet në Superligë

Superliga 09 Qershor 2020 17:45

Federata e Basketbollit javë më parë vendosi që ta rrëzojë nga Superliga për në Ligën e parë, ekipin e Feronikelit nga Drenasi.

E vendimi i FBK-së, nuk ju pëlqeu fare drejtuesve të klubit “industrialistë” që u ankuan ndaj këtij vendimi dhe kjo bëri që bordi i Federatës të mendojë që ta rishqyrtojë në fund të qershorit, vendimin në fjalë edhe pse sipas tyre, vështirë se do të ndryshojë diçka.

Drejtori i ekipit të Niklit, Alban Veseli thotë për AsistiOnline.com se beson shumë që FBK-ja do ta ndryshojë vendimin e saj të marrë ditë më parë sepse sipas tij, është jo i drejtë dhe i pabazuar askund.

“Mendoj dhe jam i bindur që bordi i FBK-së do të reflektoj dhe do të marrë një vendim që Superliga të ketë 10 ekipe në stinorin e ri. Deri më tash asnjë ekip në botë s’është larguar në këtë mënyrë dhe ne nuk mund të jemi të vetmit që marrim një lloj vendimi të tillë arbitrar”.

Tutje Veseli shton, se Feronikeli nuk do të ndalet dhe në rast se vendimi nuk ndryshohet nga bordi, do të mundohen që ti “shterin” të gjitha opsionet.

“Natyrisht ne do ti ndjekim të gjitha procedurat ligjore, sepse na u është shkelur e drejta elementare e ekipit tonë dhe ne nuk mund të qëndrojmë indiferent karshi një vendimi të tillë i cili duhet të anulohet”, tha Veseli në fund.

Përpos Feronikelit, bordi i FBK-së nga Superliga e rrëzoi edhe ekipin e Lipjanit, ndërsa për Trepçën vendosi që të luajë në ‘’plej out’’ me As Prishtinën nga Liga e parë.

-->