Golden State kthehet te fitorja, Lakers humb sërish

Basketboll 23 Tetor 2018 09:55

Toronto korri fitoren e katërt këtë sezon në NBA, duke mundur 127-106 Charlotte. Skuadra kanadeze po kalon një moment të mirë, ende e pamposhtur, duke treguar epërsi në fushë edhe në ndeshjen e radhës.

Një ndeshje e mirë e Leonard, autor i 22 pikëve, ndërkohë që 54 pikë u realizuan nga lojtarët që e nisën takimin rezervë.

Te fitorja u rikthye ekipi kampion i Golden State që mundi 123-103 Phoenixin, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Warriors, me Curryn që realizoi 29 pikë e Durant 22.

Bostoni pësoi humbje, duke u mundur 93-90 nga Orlando, ndeshje e udhëhequr nga miqtë, që në fund rrezikuan shumë.

Të gjithë titullarët e Orlandos realizuan mbi 10 pikë, me Vucevic që ishte shënuesi më i miri me 24 pikë e 12 rebaund, duke i bërë të pavlefshme 22 pikët e Irving për Celtics.

Pas kohës shtesë fitoi ekipi i San Antonios, që mundi LA Lakers me rezultat 143-142, një ndeshje spektakolare dhe emocionuese deri në fund.

Kuzma realizoi 37 pikë e James 32, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen e tretë sezonale (ende asnjë fitore), ndërsa për Spurs u dalluan Aldridge me 37 pikë e DeRozan me 32 pikë e 14 asistime.

Fitore regjistroi edhe Dallas, që mundi 115-109 Chicagon, sfidë ku u dallua Matthews me 20 pikë, ndërsa Washington mundi 125-124 Portland pas kohës shtesë (Morris 28 pikë).

NBA – Rezultatet e sotme

Boston – Orlando, 90-93
Toronto – Charlotte, 127-106
Milwaukee – New York, 124-113
Minnesota – Indiana, 101-91
Dallas – Chicago, 115-109
Utah Jazz – Memphis, 84-92
Portland – Washington, 124-125
Golden State – Phoenix, 123-103
Lakers – San Antonio, 142-143