Goli më i mirë në histori është nga Botërori 1986 (Video)

Futboll 10 Prill 2018 12:51

Në një grup të FIFA-s në rrjetin social “Facebook” kushtuar Kupës së Botës “Rusia 2018”, të apasionuarit pas futbollit dhe Kampionateve Botërore, kanë votuar për golin më të mirë në histori të futbollit.

Përpos që ky gol është nga Botërori i vitit 1986, i cili u pat mbajtur në Meksikë, po ashtu goli i përzgjedhur nuk është nga Maradona, i cili me Argjentinën ishin shpallur kampion bote, pikërisht në Meksikë në vitin 1986.

Sipas FIFA-s, është goli i meksikanit Manuel Negrete Arias, i shënuar në 1/8 e finales të Kupës së Botës “Meksika 1986” kundër Bullgarisë, i cili u zgjodh nga ata që votuan, si goli më i mirë në histori të turneut në futboll.

Goli sublim u realizua kundër skuadrës së Bullgarisë në 1/8 e finales, të cilën Meksika e mposhti me rezultat 2-0, dhe më pas avancoi në çerekfinale, ishte shënuar në minutën e 34-të të kësaj përballjeje në stadiumin “Azteca”.

Ky gol kishte konkurruar me 31 gola të tjerë të botërorëve të ndryshëm në futboll, kurse arriti të dalë para golit të brazilianit Eder, që shënoi po ashtu një gol shumë të bukur nga distanca në ndeshjen kundër Bashkimit Sovjetik të cilën Brazili e fitoi 2-1, në fazën e grupeve të Botërorit “Spanja 1982”.

Goli i meksikanit Negrete, la prapa edhe golin e të madhit Pele, i cili kishte shënuar po ashtu një gol shumë të bukur kundër nikoqirëve të Suedisë, në Botërorin e vitit 1958 në Suedi.

Më pas po ashtu edhe golin legjendar të Maradonës kundër Anglisë, atë të holandezit Denis Bergkamp kundër Argjentinës në Francë 1998, golin e Maxi Rodriguez në Gjermani më 2006, si dhe atë të James Rodriguez kundër Uruguait në vitin 2014.

Goli i realizuar nga Manuel Negrete, u lejoi meksikanëve të shkonin në çerekfinale të Botërorit “Meksika 1986”, ku nikoqirët më pas u eliminuan nga përfaqësuesja e Gjermanisë, e cila më pas u mposht në finale nga Argjentina e të madhit Diego Armando Maradona.

Sondazhi në të cilin morën pjesë qindra mijëra ndjekës, u realizua nga FIFA prej datës 31 mars deri më 9 prill, në një faqe të “Facebook”, kushtuar Kupës së Botës, e cila mbahet këtë verë në Rusi. /Insporti.com

-->