Gratë e futbollistëve anglezë, sherr për jetën private

Futboll 10 Tetor 2019 14:27

Një zënkë e pazakontë ka shpërthyer në rrjetet sociale mes Coleen Rooney, bashkëshortes së ish-kapitenit të Anglisë, dhe Rebekah Vardy, gruas të sulmuesit të Leicesterit, Jamie Vardy. Akuzat nuk janë edhe aq të lehta, pasi bëhet fjalë për shpërndarjen e informacioneve të jetës së saj private në tabloide.

Në rrjetet sociale, Coleen nuk ka ngurruar të akuzojë hapur. “Më në fund ia dola t’i shkoj deri në fund. Për shumë kohë, dikush, të cilës i besoja dhe që i lejova të më ndiqte në profilin tim Instagram, ka informuar ‘The Sun’ për historitë dhe postimet e mia private. Shumë informacione mbi mua dhe familjen time kanë dalë pa lejen time. Por kisha një dyshim dhe për ta vërtetuar kisha një ide. Bllokova të gjithë nga historitë në Instagram përveç një llogarie. Dhe pastaj postova historitë false, për të parë nëse përfundonin te ‘The Sun’. Vetëm një adresë i kishte parë, ishte Rebekah Vardy”, shkruante Coleen Roneey në postimin e saj të gjatë ku shpjegonte kurthin që kishte ngritur.

Një postim i tillë fillimisht detyroi “The Sun” që të fshinte me shpejtësi një lajm që kishte bërë se familjes Rooney i ishte përmbytur shtëpia, pasi ai ishte një lajm që Coleen Roneey e kishte trilluar për të zënën në kurth Rebekah Vardyn. “Është e trishtueshme që dikush të cilit i kam besuar më ka tradhtuar për para apo për të mbajtur lidhje me shtypin”, ishte akuza e Coleen Rooneyt.

Nuk vonoi përgjigja e Rebekah Vardyt, e cila u justifikua për gjithçka. “Jam me pushime, jam shtatzënë dhe nuk di as pse duhet të rri të shkruaj. Nuk më nevojiten paratë, pse ta bëja një gjë të tillë? Në vitet e fundit shumë persona kanë hyrë pa lejen time në adresën time në Instagram. Më vjen turp edhe që duhet të justifikohem. Duhej të më telefonoje herën e parë kur kishe këto dyshime”, ishte postimi i zonjës Vardy si kundërpërgjigje ndaj akuzave që kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale.