Gratë nuk i lejonin të vozisnin, tash duan garë të Formulës 1

Formula 1 06 Gusht 2019 12:17

Formula 1 ka rreth dy dekada që vazhdimisht zgjerohet, duke organizuar gara të ndryshme jashtë Evropës, me qëllim të përfitimeve sa më të mëdha nga tregjet e reja, sponsorët e rinj dhe rritjes së numrit të garave, duke shtrenjtuar të drejtat televizive, shkruan Insporti.

Shteti i radhës që kërkon të ketë një garë në këtë kampionat është Arabia Saudite, shkruan The Times e Londrës, transmeton Insporti.

Ky vend kërkon që të jetë pjesë e kalendarit të Formulës 1, që nga viti 2021. Kujtojmë që Arabia Saudite deri para pak kohës i ka mohuar të drejtën e vozitjes gjysmës së popullatës së vet, gjegjësisht femrave, duke ua ndaluar të marrin patentë shoferë.

E drejta e femrave për të pasur leje për vozitje në Arabisë Saudite, vlen që nga viti i kaluar dhe ky lajm ka qenë ngjarje globale.

Nëse deri vitin e kaluar femrat nuk kanë pasur të drejtë të vozitin, rreth situatës në Arabinë Saudite ka brenga të tjera për situatën me të drejta të njeriut, liri të shtypit dhe liri të shprehjes në përgjithesi. Këta tre faktorë dhe trajtimi i barabartë edhe i turistëve e gazetarëve të huaj që do të shkonin për të përcjellë garat e Formulës 1 në Arabinë Saudite përmenden si disa nga pengesat e organizimit të një gare në këtë vend.