Griezmann befason para ndeshjes me Interin, thotë se nuk flet shumë me Messin

Futboll 02 Tetor 2019 09:27

Antoine Griezmann e ka pranuar se atij i duhet më shumë kohë për t’u përshtatur në Barcelonë në mënyrë që të jetë versioni më i mirë i vetes. Ai shtoi se nuk flet shumë me Lionel Messin, pasi që të dy janë më të heshtur.

Sulmuesi francez dje foli në konferencën për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Interit, që do të zhvillohet sonte (e mërkurë).

Ai tha se përkundër që ai dhe Messi s’janë shokë të ngushtë ende, marrëdhënia e tyre po shkon në drejtimin e duhur.

Marrëdhënia me Messin: “Ai nuk është dikush që flet shumë dhe as unë s’jam i tillë dhe është e vështirë për ne të flasim ashtu. Unë i kam folur atij si shok pak dhe po shkojmë në drejtimin e duhur. Ne jemi dy djem të mirë dhe unë jam këtu për të ndihmuar”.

Ndeshje e veçantë: “Ndeshjet në Ligën e Kampionëve janë gjithmonë të veçanta dhe kjo është edhe më shumë e tillë sepse është ndeshja ime e parë me Barcelonën në shtëpi në Ligën e Kampionëve. Ne duhet të punojmë si skuadër për të fituar në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Mungesat: “Është gjithmonë më e vështirë pa Ansu [Fatin, Leo [Messin], Luis [Suarezin] dhe
Ousmane [Dembelen]… por, ne duhet ta gjejmë mënyrën më të mirë për të fituar. Ne e kemi një skuadër të mrekullueshme dhe do ta gjejmë një mënyrë për të fituar”.

Përshtatja: “Unë duhet të përshtatem edhe pse ndihem rehat dhe kam vetëbesim. Unë duhet të përmirësohem, veçanërisht lëvizjet e mia, për të qenë më i përfshirë në lojë. Po më mungojnë disa gjëra për të qenë Griezmanni më i mirë i mundshëm”.

Gjendja e Dembeles: “Ai është duke u stërvitur, vjen herët për t’i përforcuar këmbët dhe trupin e tij.
Ata po e shikojnë atë, por kur e ke një cikël lëndimesh, është e vështirë të dalësh nga ai cikël. Ne jemi këtu për t’i ndihmuar atij”.