Griezmann largohet nga Barça vetëm në qoftë se transferohet tek ky klub

Futboll 24 Korrik 2021 21:50

Emri i Antoine Griezmann po përflitet gjithnjë e më shumë për t’u larguar nga Barcelona në këtë merkato verore.

Blaugranat kanë probleme të theksuara ekonomike dhe e shikojnë te shitja e sulmuesit francez zgjidhjen e një pjese të tyre.

Në këtë merkato Barcelona ka afruar me parametër zero dy sulmues të njohur si Sergio Aguero dhe Memphis dhe për të rinovuar me Messin drejtuesit e klubit spanjoll po mendojnë të largojnë Griezmann i cili tashmë që ka mbipopullim në sulm duket i tepërt në skuadër dhe për më tepër do ta lironte klubin blaugrana nga paga e larta prej 17 milionë eurosh në sezon.

Vetë 30-vjeçari francez i ka dhënë ok-in klubit për t’u larguar por vetëm me një kusht që të rikthehet te Atletico Madrid.

Barcelona e cila pagoi klauzolën duke e blerë sulmuesin nga Atletico Madrid 2 vite më parë për 120 milionë euro kërkonë të arkëtojë sa më shumë nga shitja e francezit ndërkohë që për momentin oferta e Atleticos vazhdon të jetë ajo e shkëmbimit  me Saul Niguez, por mesfushori i talentuar nuk ngroh plotësisht drejtuesit e Barçës të cilët po kërkojnë të tjera zgjidhje.

Gjithsesi dëshira e futbollistit për t’u rikthyer te Atletico Madrid mund të kthehet në një problem për Barçën e cila synon ta shesë futbollistin në një tjetër kampionat.

-->