Hadërgjonaj përfundimisht zgjedh kombëtaren e tij

Futboll 24 Shkurt 2018 09:31

Një prej pak lojtarëve të nivelit të lartë me të drejtë që të luajë për Kosovën, Florent Hadërgjonaj i Huddersfieldit, ka vendosur se për cilën kombëtare do të bëjë garë në konkurrencën e seniorëve.

Futbollisti i Premier Ligës, ka qenë pjesë e kombëtares së Zvicrës në grup moshën U20 dhe U21 dhe cilësohet si një prej mbrojtësve më perspektivë të gjeneratës së tij.

Ai ka vendosur që edhe si senior të garojë për Zvicrën duke thyer kështu zemrat e tifozëve të Kosovës, të cilët kanë pritur që pikërisht defanziva e kombëtares së Kosovës do të mund të përforcohej dukshëm me ardhjen e tij.

Ai kishte zhvilluar një miqësore me Zvicrën edhe si sendor, mirëpo, edhe kjo ndeshje me Bjellorusinë, por edhe ndeshjet si U20 dhe U21 i Zvicrës, nuk ia ndalonin Hadërgjonajt që në gara zyrtare të përfaqësonte Kosovën dhe kjo kishte bërë që shumë njerëz të mbanin shpresa për ardhjen tij eventuale në kombëtaren e Kosovës, për të cilën spekulohet se do të udhëhiqet nga një trajner zviceran.

Sidoqoftë, në një intervistë në Guardian, ai shpjegoi që do të luajë për Zvicrën dhe shpjegoi që “ka qenë një vendim dhe një situatë shumë e vështirë siç ka qenë edhe për Xhakën e Shaqirin. Nga njëra anë na thonë që e kemi familjen nga Kosova dhe duhet të luajmë për Kosovën, e nga ana tjetër na thonë se kemi lindur dhe jemi rritur në Zvicër dhe duhet të luajmë për Zviucrën”.

Hadërgjonaj, tashmë 23 vjeçar, në intervistë foli edhe për shumë detaje interesante që kanë të bëjnë me karrierën e tij.

-->