Hamilton afër rekordit të legjendarit Schumacher

Formula 1 16 Gusht 2019 11:26

Fitore pas fitoreje, Lewis Hamilton po i afrohet gjithnjë e më shumë rekordeve të legjendarit Michael Schumacher. 5 herë kampioni i botës në Formula 1 thuajse ka hipotekuar edhe titullin e gjashtë dhe synon rekordin e 7 titujve të pilotit gjerman.

Jo vetëm kaq, por ai ka arritur 81 fitore në karrierë, 10 më pak se Schumacher (8 fitore në 12 gara këtë vit).

Këtë sezon ai ka një avantazh prej 62 pikësh karshi shokut të tij të skuadrës Valtteri Bottas. Pavarësisht se është 34 vjeç, piloti britanik nuk ka ndërmend të ndalet. Në një intervistë për “The Guardian”, ai tha: “”Jam 34 vjeç por ndihem në formë të shkëlqyer, më në formë se kurrë”.

“Një ditë do të tërhiqem, por në këto momente ndihem shumë mirë, si fizikisht ashtu dhe mendërisht. Nuk kam asnjë dëshirë të tërhiqem në këto momente, pasi kam ende shumë për të dhënë dhe fituar. Si në pistë ashtu dhe jashtë saj”, tha Hamilton, që piloton në Formula 1 prej 13 sezonesh.

“Ky sezon është ende i gjatë. Është ende edhe pjesa e dytë për t’u zhvilluar. Nuk kënaqem me kaq, pasi falë makinës Mercedes kam mundësi të fitoj ende. Punojmë fort të gjithë dhe duelojmë me njëri-tjetrin për të qenë më të mirët”, u shpreh Lewis Hamilton.