Hamilton fiton në Rusi, shikoni duelin në 300km/h

Formula 1 30 Shtator 2018 14:43

Lewis Hamilton i ekipit Mercedes Benz AMG është fitues i garës për Shpërblimin e Madh të Rusisë në Formula 1, që u zhvillua në shtegun urban në rrugët e qytetit Sochi.

Valtteri Bottas e nisi garën nga  pole position, kurse kolegu i tij në Mercedes, Hamilton, nisej i dyti, në atë që ishte hera e 55-të që dy shoferë të Mercedesit “uzurpojnë” rreshtin e parë shartues, raporton Insporti.

Në startin e kësaj gare shoferët e Mercedesit i ruajtën dy pozitat e para edhe pse Sebastian Vettel i Ferrarit, i cili nisej i treti, kishte dy momente rrotë më rrotë me Hamiltonin në kthesat e para.

Deri në pit stopin e parë, dy të parët ishin të paprekshëm dhe Bottas e ruajti statusin e liderit edhe pas pit stopit, kurse një gabim taktik i ekipit, i kushtoi Hamiltonit me humbjen e vendit të dytë nga Vettel.

Mirëpo, në dalje nga pit stopi, në rrethin e 16-të Hamilton me Mercedes ishte dukshëm më i shpejtë sesa Vettel me Ferrari dhe fillimisht e patën një duel me mbi 300km/h, kurse në rastin e dytë që iu dha Hamilton e tejkaloi gjermanin.

Më pas, në rrethin e 25-të, në saje të urdhrave ekiporë, Bottas e lëshoi Hamiltonin në pozitën e parë dhe shoferi britanik nuk shikoi më prapa, raporton Insporti duke u bazuar në komunikimin ekipit të Mecedesit me shoferët e vet.

Max Verstappen i cili garën e kishte nisur nga pozita e 19-të, e kishte vonuar dukshëm pit stopin e parë, që doli të jetë i vetmi për të në këtë garë, deri në rrethin e 43-të dhe në saje të kësaj udhëhoqi garën për më shumë se 20 rrathë.

Ishte kjo një nga garat më të vështira në karrierën e shoferit holandez të ekipit Red Bull, i cili sot festoi ditëlindjen e 21-të dhe përfundoi i pesti.

Radhitja në Sochi

Pas kësaj gare Hamilton ka 50 pikë epërsi (306 me 256) ndaj Sebastian Vettelit në renditjen e përgjithshme dhe Vettelit i duhet të fitojë të gjitha garat e mbetura, e të shpresojë në ndonjë gabim ose prishje të Hamiltonit, për të pasur gjasa për titull, bën të ditur Insporti, kurse kanë mbetur edhe pesë gara deri në fund të sezonit.