Hamilton ishte brilant, por nuk mjaftoi për fitore

Formula 1 08 Korrik 2018 16:48

Gara për Shpërblimin e Madh të Britanisë së Madhe filloi në mënyrën më të keqe të mundshme për ekipin e Mercedesit dhe favoritin lokal Lewis Hamilton.

Kampioni i katërfishtë i botës doli nga shtegu pas kontaktit me shoferin e Ferrarit Kimi Raikonen, që më pas provokoi një incident më të madh në shteg ku u përfshinë edhe disa shoferë të tjerë.

Hamilton pati një prej starteve të dobëta të këtij sezoni dhe ra nga pozita e parë në të tretën, por kishte trajektoren e jashtme në kthesën e tretë të rrethit të parë dhe Raikkonen, i cili kishte trajektoren e brendshme mbajti vijën e tij dhe pati kontakt me britanikun duke shuar shpresat e tij për fitore historike në Silverstone.

Mirëpo, ajo që Hamilton bëri në vazhdim të kësaj gare është dëshmia e radhës pse ky shofer cilësohet si ndër më të mirët në histori dhe pse është m i trofeshmi i gjeneratës aktuale.

Për 10 rrathë Hamilton u ngjit nga pozita e 17-të në të gjashtën dhe u kthye në luftë për podium, në kohën kur Vettel po e kontrollonte garën nga pozita e parë.

Vettel madje edhe pas pit stopit të parë (rrethi 21), doli fiks para Hamiltonit në shteg dhe këta shoferë ishin në pozitat 2 dhe 3, meqë Hamilton hskoi në pit stop disa rrathë më vonë.

Gara më pas u karakterizua me dy incidente që kanë detyruar organizatorët e garës që dy herë të vendosin regjimin e Automobilit të Sigurisë në shteg.

Kjo imponon regjim të ndalim tejkalimit dhe ia komplikon garën Lewis Hamiltonit, i cili ka bërë mrekullinë duke u kthyer nga pozita e 17-të në të 3-tën, pasi pësoi nga një incident në start.

Në incidentin e dytë ishin të përfshirë Romain Grosjean dhe Carlos Sainz jr dhe gara e Britanisë përfundoi për të dytë pas një kontakti në kthesën e parë.

Vettel kreu pit stopin e parë dhe të vetëm pikërisht në kohën e Automobilit të Sigurisë, mirëpo, këtë nuk e bëri Bottas, i cili pit stopin e kishte përfunduar më herët dhe vendosi të qëndrojë në shteg dhe të marrë pozitën e parë.

Bottas qëndroi i pari duke i rezistuar disa sulmeve të Vettelit, por e kishte të pamundur ta mbante gjermanin praa deri  në ufnd të garës dhe kur u tejkalua nga Vettel, më pas finlandezin e tejkaluan edhe Hamilton dhe Raikkonen, të cilët përfunduan në podium, duke e lënë Bottasin në pozitën e katërt.

Me këtë fitore Vettel përforcohet në pozitën e parë në renditjen e përgjithshme të shoferëve, para Hamiltonit, i cili pas një vozitjeje brilante përfundoi i dyti dhe kufizoi dëmin, pas një gare të mundimshme.