Hamilton niset nga “pole position”, Ferrari dështon totalisht

Formula 1 27 Korrik 2019 18:10

Lewis Hamilton me Mercedes ka siguruar “pole position” në pistën e Hockenheim

dhe do ta nisë nga vendi i parë garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë që zhvillohet ditën e diel. Britaniku regjistroi kohën rekord 1’11”767, i pakapshëm në pistë nga rivalët, duke korrur “pole” nr.87 në karrierën e tij.

Në krah të Hamilton në vijën e parë të startit do të jetë Max Verstappen me Red Bull, që u rendit i dyti në provat zyrtare të zhvilluara sot. Ndërsa në vendin e tretë u klasifikua makina tjetër e Mercedes, ajo e Valtteri Bottas dhe pas tij Pierre Gasly,me makinën tjetër Red Bull.

 

Dështim total për Ferrarin në provat zyrtare. Makina italiane, që deri gjatë paradites dominonte në pistë në provat e lira, kapitulloi në provat zyrtare. Vettel nuk realizoi dot asnjë xhiro dhe do ta nisë garën nga vendi i 20-të, ndërsa Charles Leclerc nuk zbriti në pistë në sesionin e tretë, duke e nisur garën nga vendi i 10-të. /telesport.al/