Harden: Nuk i frikësohemi askujt, e duam titullin

Basketboll 10 Tetor 2018 13:10

James Harden, MVP i sezonit të kaluar, është i bindur se skuadra e Houston Rockets mund të duelojë për titullin kampion bote në NBA sezonin që është gati të startojë.

Ai beson se grupi që është formuar këtë sezon, sidomos pas ardhjes së Carmelo Anthony, është më i kompletuar dhe mund të kalojë pengesat që hasi edicionin e kaluar në finalet e “play off”-it.

“Së pari, duhet të rikonfirmojmë rezultatin e mirë që arritëm vjet, ku e mbyllëm sezonin e rregullt të parët në Perëndim, gjë që duhet ta përsëritim edhe këtë vit”, tha ai.

“Nuk ka për të qenë e lehtë por as e pamundur. Janë shumë ekipe pretendente në Perëndim, por edhe ne jemi mes tyre dhe mund të duelojmë për titullin kampion, pa pasur frikë nga askush”, shtoi Harden.

Vjet Houston u mund në finalen e shtatë të play off-it nga Golden State në Perëndim, ndaj keqardhja për faktin se nuk dueloi dot për titullin kampion në NBA është e madhe për Harden.

“Vjet u ndalëm në momentin final, por këtë vit duhet ta kalojmë atë ngërç dhe të shpallemi kampionë në Konferencën tonë. Unë kam besim te skuadra, te lojtarët e stafi, ndaj mund të bëjmë ëndrrën realitet”, u shpreh mes tjerash James Harden.