Harrojeni Joshuan – këtë fundjavë zhvillohet meçi i vitit në Amerikë

Sporte luftarake 03 Maj 2019 11:44

Maji është muaj kur kontestohen disa tituj botërorë dhe evropianë në boks, mirëpo, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fokusi është në vetëm një meç.

Të shtunën mbrëma sipas kohës amerikane, që i bie të dielën në mëngjes sipas kohës sonë do të përballen Saul “Canelo” Alvarez dhe Daniel Jacobs, në T Mobile Arena, në Las Vegas për titujt botërorë në versionet IBF, WBA dhe WBC në kategorinë e mesme.

Dueli midis meksikanit Alvarez dhe amerikanit Jacobs, nga shumë kush vlerësohet si ngjarje e vitit në boks në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht për shkak se Anthony Joshua, kampioni iu peshave të rënda, që debuton në Amerikë në qershor, do të përballet me John Ruizin, i cili në këtë meç shkon si zëvendësues, e jo si opsion i parë për sfidues të kampionit.

Insporti raporton se Alvarez mban tre tituj të botës pasi mundi Gennady Golovkinin në një nga meçet më të përfolura të vitit të kaluar, kurse Jacobs kishte qenë kampion në kategorinë e mesme në federatën WBA dhe titullin e kishte humbur pikërisht nga Golovkin, para se ky të mundej nga Alvarez.

Kjo është arsye shtesë që të presim duel shumë të fortë dhe arsye pse mediat amerikane po i kushtojnë kësaj ngjarjeje kaq shumë vëmendje.

Duke u bazuar në statistikat zyrtare, Insporti transmeton se Alvarez ka 51 fitore, 1 humbje dhe 2 barazime në karrierën e tij si profesionist, kurse Jacobs ka 35 fitore dhe 2 humbje.

Fituesi do të jetë kampion bote i peshës së mesme në tri federata të mëdha dhe kjo do t’ia japë statusin e njërit prej boksierëve më të mirë në botë.