Harry Maguire reagon për racizmin ndaj Pogbas – ka këtë lutje për rrjetet sociale

Futboll 20 Gusht 2019 11:58

Harry Maguire ka reaguar në ‘Twitter’, pas sulmeve që iu bënë Paul Pogbas në këtë rrjet social.

Përforcimi më i ri i Manchester United, përmes rrjeteve sociale tha se është i neveritur me abuzimet në baza racore që iu bënë bashkëlojtarit të tij, Paul Pogbas, shkruan Insporti

Këto sulme në drejtim të francezit erdhën si pasojë e penalltisë që ai e humbi në ndeshjen kundër Wolvesit.

Pogba u sulmua në baza racore nga një grup tifozësh, derisa edhe klubi i Manchester Unitedit doli me komunikatë.

Ndërkaq Maguire, tha se rrjetet sociale duhet të bëjnë diçka për këtë. Ai sugjeroi se në hapjen e llogarive, verifikimi me pasaportë apo leje të vozitjes duhet të jetë i obligueshëm.

“E neveritshme. Rrjetet sociale duhet të ndërmarrin diçka në lidhje me këtë. Çdo llogari që hapet duhet të verifikohet me një pasaportë/leje vozitjeje. Këta provokues patetikë nuk duhet të lejohen që të hapin llogari të shumta për të abuzuar të tjerët”, tha ai në lutjen e tij për Twitterin dhe Instagramin. /Insporti.com/