Hashani: Futbolli modern ka ndikuar në klubet e Superligës – infrastruktura e klubeve duhet të përmirësohet

Futboll 04 Shkurt 2020 16:55

Klubet e Kosovës gjatë afatit kalimtar të janarit ka qenë mjaftë aktive, e në veçanti në ditën e fundit. Afati kalimtar i janarit u mbyll të premten më 31, me klubin e Drenicës që në orët e fundit bëri një transferim të madh nga KF Prishtina, shkruan Insporti.com.

Klubi më aktiv në afatin kalimtar të janarit ka qenë Llapi me gjithsej 13 transferime, pastaj Vushtrria, Drenica dhe Feronikeli, që po thuajse kanë ndryshuar organikën e skuadrave që i kishin në pjesën e parë të kampionatit.

Kjo strategji e klubeve është kritikuar nga analistët, pasi si mund të bëhen transferime pas fazës përgatitore. Pra, çështja është se si do të arrijnë të adaptohen me skuadrën për kohë të shkurtër, duke ditur se kampionati do të fillojë edhe dy javë.

Insporti ka kontaktuar analistin dhe trajnerin Erdin Hashani, i cili ka deklaruar se futbolli modern ka ndikuar edhe në klubet e Kosovës. Sipas Hashanit, asnjë klub nuk e lëshon futbollistët më të mirë, por mos suksesi i tyre gjatë kampionatit bën që të largohen. “Sot futbolli modern ka ndryshuar, sepse për t’i kap majat duhet investim që do të thotë të marrësh futbollistë cilësorë dhe futbollistët cilësorë kushtojnë. Në këtë mini afat kalimtar ka pasur shumë lëvizje, ka pasur largime dhe afrime, ato klube që nuk kanë qenë të kënaqur me futbollistët e tyre ose kisha me thanë me pritshmëri e tyre i kanë liruar futbollistët dhe po ashtu kanë sjell futbollistë që mendojnë që i mbulojnë pozitat e futbollistëve që i kanë larguar. Mos të harrojmë që asnjë skuadër nuk e liron futbollistin e mire vetëm nëse ka përfitime shumë të mëdha nga ai, kështu që në këtë afat kalimtar nuk di skuadër që ka marrë ndonjë përforcim që e ka paguar edhe dëmshpërblimin e atij futbollisti”.

Hashani për Insportin po ashtu ka deklaruar se në futbollin e Kosovës është duke ndodhur një gjë pozitive, pasi klubet tashmë kanë buxhet më të madh se sa në vitet e kaluara. Hashani mendon se me zhvillimin e fazës përgatitore në Turqi, tregon se klubet janë më serioze dhe mundohen të plotësojnë kushtet për futbollistët.

“Nëse e shikojmë këto skuadrat që kanë investuar me shumë kanë shkuar të gjitha në Turqi, sepse atje janë kushtet shumë më të mira edhe pse kushton më shumë. Janë shumë më të mira kushtet ne Turqi se sa në Shqipëri, që vite më parë kanë shkuar shumica e klubeve, tashmë shumica kane filluar që të shkojnë në Turqi sepse buxheti i klubit është shumë më i madh. Sa me te mira kushtet për futbollistët, aq më shumë mundesh me marr maksimumin e tyre”.

Për fund ish futbollisti i shumë klubeve të Superligës, ka shtuar se infrastruktura e klubeve duhet të përmirësohet, pasi nuk mjafton vetëm faza përgatitore jashtë vendit.

Hashani nga 15 janari është emëruar trajner i Vllaznisë së Pozhoranit, që bën gara në Ligën e Parë. /Insporti.com/

 

-->