Hazardi bëri huqje në portën e zbrazët, ja çka thotë Zidane

Zinedine Zidane insiston se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për formën e Eden Hazardit, pasi belgu e pati një paraqitje zhgënjyese në fitoren me rezultat 1:0 të Real Madridit kundër Galatasarayt, në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Integrimi i Eden Hazardit në skuadrën e Real Madridit s’ka qenë aq i shpejtë sa mund të kenë shpresuar dy palët, pas transferimit të tij nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës.
Megjithatë, Hazardi e mori një asist nga kjo ndeshje, përkundër që pasimi i tij u duk se ishte menduar të shkonte për Karim Benzema e jo për golashënuesin Toni Kroos.
Përkundër këtij asisti, trajneri Zidane u pyet pas ndeshjes për rastin e humbur për të shënuar gol nga belgu.
“Nuk më shqetëson mua. Ai është më i mirë tani dhe do të vazhdojë të përmirësohet edhe më shumë”, ka thënë Zidane.
“Gjëja më e rëndësishme është se ai duhet të vazhdojë të bëjë raste të tilla të mira sepse do t’i shënojë”.
Fitorja bën që Real Madridi të radhitet i dyti në Grupin A, pesë pikë prapa Paris Saint-Germainit, që i ka fituar të gjitha tri ndeshjes e zhvilluara deri më tani.