Herolind Shala befason me klubin e ri

Kombëtarja 11 Shkurt 2019 12:45

Reprezentuesi kosovar, Herolind Shala, është bërë me skuadër të re pas largimit nga IF Star.

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës ka nënshkruar me skuadrën e famshme norvegjeze Valerenga.

Skuadra nga Norvegjia ka fituar garën me skuadrat si Dynamo Moskë, Grasshoppers dhe Lokeren, por vendimi i kosovarit ishte për Valerenga.

27-vjeçari ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me Valerengan dhe i është bashkuar klubit në fazën përgatitore në Spanjë.

Drejtori sportiv i Valerengas, Jorgen Ingebrigtsen ka thënë se janë shumë të lumtur që e kanë fituar garën për Shalën.

“Herolindi është një futbollist shumë i shkathët i cili luan në disa pozita. Jemi shumë të lumtur që pas një kohe të gjatë negociatash kemi arritur ta bindim të nënshkruajë me ne”.

“Shala ka përvojë të madhe dhe për ne është emocionuese ta shohim me fanellën tonë të kaltër”, tha drejtori sportiv i klubit Ingebrigtsen.

Ndërkohë edhe Shala është shprehur shumë i lumtur që do të luaj në një klub të madh si Valerenga.

“Valerenga është një klub i madh që ka ambicie të mëdha. Unë kam ardhur këtu sepse besoj se mund të fitojmë diçka dhe ky është qëllimi im”, përfundoi Shala.

Angazhimi i Shalës me klubin e ri është një lajm i mirë për trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes, pasi që Shala është njëri nga lojtarët më të mirë të Përfaqësueses sonë.