Hila: Titulli i takon Prishtinës – derbin e fiton Partizani

Futboll 29 Shtator 2019 09:19

Fitoi titullin e kampionit me FK Partizanin sezonin e kaluar, ndërsa këtë sezon synon që ta fitojë me KF Prishtinën, shkruan Insporti.com.

Mesfushori karizmatik, Ardit Hila në ditët e fundit të afatit kalimtar vendosi t’i thotë ‘Po’ klubit më të madh në futbollin e Kosovës, Prishtinës. Hila erdhi si një nga përforcimet e mëdha të klubit bardhekaltër, pas Leonit Abazit dhe Ahmed Januzit.

Nga “Demat e Kuq” Prishtina transferoi edhe mbrojtësin me përvojë të madhe, Labinot Ibrahimi. Ish mesfushori i Partizanit për Prishtinën deri më tani ka zhvilluar 167 minuta në Superligë duke u ndëshkuar dy herë me karton të verdhë.

Image may contain: one or more people, people playing sport and outdoor
Ardit Hila, FC Prishtina

 

Insporti ka zhvilluar një intervistë me Hilën, i cili ka deklaruar se titulli këtë sezon i takon Prishtinës.

Në këtë intervistë, mesfushori 26 vjeçar ka rrëfyer eksperiencën e tij me skuadrën e Partizanit dhe tashmë me Prishtinën. Ai po ashtu beson që derbin në mes Partizanit dhe Tiranës, do ta fitojë ish skuadra e tij me golin e Bruno Telushit.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:

Si është jeta në Prishtinë në dallim me atë të Tiranës?

Hila: Jeta në Prishtinë është po thuajse e njëjtë me atë të Tiranës, me disa ndryshime të vogla por jam ambientuar mirë dhe njerëzit më kanë pritur mirë dhe më respektojnë.

Si ju pritën tek Prishtina, erdhët si përforcim i madh nga Partizani?

Hila:Me thënë të drejtën jam pritur mjaft mirë nga e gjithë skuadra, po ashtu edhe nga drejtuesit e klubit. Çdo gjë është në vendin e duhur.

Superliga apo Kategoria Superiore, është më cilësore?

Hila: Besoj që me ardhjen time ekipi është forcuar më shumë, duke shtuar konkurrencën në ekip, që i bënë mirë çdo ekipi. Në këto pak javë që jam këtu, kam parë që nuk ka diferencë të madhe me ekipet e Superiores së Shqipërisë.

Për pak javë qëndrimi në Prishtinë, Dallku është trajner i tretë, a ka ndikuar kjo tek ti?

Hila: Po, është e vërtetë që vetëm pas dy jave ndërrohet trajneri gjë e cila mendoj që nuk është mirë. E rëndësishme për ne futbollistët është që të ambientohemi me cilindo trajner dhe t’i përshtatemi sa më mirë, në mënyrë që ai ta ketë më të lehtë punën

Vitin e kaluar u shpallët kampion me Partizanin, nesër zhvillohet derbi i qytetit, kush do ta fitojë?

Hila: Pavarësisht që nuk e ka nisur mirë kampionatin në këto javët e para, mendoj që Partizani do të triumfojë përsëri, madje me golin e Bruno Telushit.

A mendoni se do fitoni titullin e kampionit përsëri, por kësaj radhe me Prishtinën?

Hila: Unë mendoj që i kemi mundësit dhe cilësitë që ta sjellim në Prishtinë titullin, do e bëjmë edhe për “Plisat” pasi tash e një kohë iu mungon titulli. / Insporti.com/

Image may contain: 1 person, playing a sport and outdoor

 

-->