Historia e “Dardanëve” e mahnit mediumin anglez

Kombëtarja 12 Qershor 2019 18:53

Një artikull i veçantë për Kosovën është publikuar në uebsajtin zyrtar të Dream Team, me bazë në Britani të Madhe. Tekstin e plotë mund të lexoni në vazhdim.

A dëshiron ndokush ta dëgjojë një histori motivuese? Si thua për atë të grupit të vogël në skenën ndërkombëtare që e arriti ecurinë më të gjatë të ndeshjeve pa disfatë në Evropë?, shkruan Dream Team.

Por jo vetëm kaq… ata nuk njiheshin nga UEFA dhe FIFA deri në vitin 2016.

Po, Kosova nuk ka pësuar disfatë që nga fundi i vitit 2017, duke e arritur ecurinë prej 14 ndeshjeve pa humbje – ku përfshihen tetë fitore, ndër të cilat edhe fitorja e tyre e parë në kualifikime në EURO, kundër Bullgarisë.

Trajneri zviceran Bernard Challandes është ende i pamposhtur që kur e ka marrë drejtimin e kësaj skuadre dhe mund të thuash që ata janë duke i realizuar të gjitha ëndrrat e tyre më të veçanta, kundër të gjitha gjasave.

Rrugëtimi plot gropa

Që kur Kosova e deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, ata janë ngjitur në skenën e futbollit ndërkombëtar dalëngadalë.

Pas disa viteve duke luajtur vetëm ndeshje miqësore – dhe asgjë më shumë se kaq – Kosova u anëtarësua në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, që ua dha atyre mundësinë të garojnë në turnetë e mëdha botërore.

Telashet politike në këtë regjion vazhdojnë edhe tani dhe përballja e tyre e Malit të Zi u la nën hije nga lajmi për trajnerin dhe dy futbollistë të Malit të Zi, që nuk pranuan të luajnë në këtë ndeshje pasi që nuk e njohin Kosovën si shtet.

Megjithatë, Kosova e kryesoi grupin e vet në Ligën e Kombeve, ku bënin pjesë Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. ‘Dardanët” i shënuan 15 gola dhe i pranuan vetëm dy në ato gjashtë ndeshje.

Forma e tyre vazhdimisht ka rritje

Pas barazimeve mbresëlënëse kundër Danimarkës, Bullgarisë e Malit të Zi, skuadra e ranguar në pozitën e 127-të në ranglistën e FIFA-s arriti fitore me rezultat 3:2 në fund të ndeshjes kundër Bullgarisë.

Kjo bën që ata ta kenë ecurinë më të gjatë të ndeshjeve të zhvilluara pa pësuar disfatë nga të gjitha Kombëtaret evropiane, katër ndeshje më shumë sesa Portugalia.

Kush janë yjet e kësaj skuadre?

Përveç trajnerit enigmatik Challandes, ylli i Werder Bremenit Milot Rashica ka qenë në super formë para portës dhe ai e shënoi golin e parë në ndeshjen në Sofje.

Rashica, në fakt, i ka 13 gola dhe gjashtë asiste në 22 ndeshje për klubin dhe vendin e tij në vitin 2019 deri më tani, transmeton gazeta Express.

Pas tij luan Bersant Celina, i cili e shënoi një gol të jashtëzakonshëm për Swansean kundër Manchester Cityt në Fa Cup, më herët këtë sezon.

Kosova po e dëshmon vlerën e Ligës së Kombeve, duke e vazhduar formën e paraqitjeve në atë garë për ta arritur edhe një sukses tjetër të madh, kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020.

Kosova aktualisht radhitet e treta në Grupin A – një pikë prapa lideres, Anglisë – dhe qëllojani kush do të jenë armiqtë e radhës së tyre? Vetë grupi lara-lara i Gareth Southgate.