Historia e “pritjes më të mirë në histori”, nga portieri që ndërroi jetë sot

Futboll 12 Shkurt 2019 13:57

Gordon Banks ndërroi jetë sot, në moshën 81-vjeçare.

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 1966 me Anglinë, ndërroi jetë në orët e hershme të së martës.

Ai do të mbahet mend gjatë nga futbolldashësit në Angli, e në veçanti nga tifozët e kombëtares së Anglisë, për heroizmat dhe pritjet e jashtëzakonshme të tij, shkruan Insporti

Legjenda e kombëtares së Anglisë, bëri 628 paraqitje në karrierën e tij 15-vjeçare në Football League dhe ishte pjesë e ekipit të famshëm që e fitoi Kupën e Botës më 1966.

Por, ajo për çfarë ai do të mbahet mend gjatë, është pritja që i bëri Peles – atëbotë lojtarit më të mirë në botë – në vitin 1970.


Pritja e paharrueshme e Banks në gjuajtjen e Peles, në Botërorin e vitit 1970

Ajo çfarë e bën të jashtëzakonshme pritjen e Banks, janë reflekset e mahnitshme të tij, teksai ai lëviz me shpejtësi marramendëse nga njëra shtyllë në tjetrën, para se Pele të gjuante topin me kokë.

Ai më pas arrin që ta ndalë gjuajtjen e Peles, duke bërë pritjen “që e mahniti botën e futbollit”. Pjesa tjetër është histori.

Banks, atëbotë 33-vjeçar, bëri pritjen që do ta mbajë mend për gjatë gjithë jetës së tij dhe pritjen e cila do të mbahej mend për dekada të tëra.

Anglia me Brazilin u ndeshën në fazën e grupeve në vitin 1970, në Botërorin i cili u mbajt në Meksikë.

Pritjen e shumëpërfolur, mund ta shikoni edhe në videon e mëposhtme. /Insporti.com/