Historia e veçantë e basketbollistit të ri të Vëllaznimit me Kobe Bryantin

Basketboll 25 Janar 2021 23:39

Superylli i basketbollit, Kobe Bryant, vdiq më 26 janar të vitit të kaluar pas një aksidenti fatal me helikopter. Falë një mesazhi që kishte pranuar nga Bryant, Emmanuel Omogbo kishte lidhje të veçantë me yllin e NBA-së. Omogbo tani po luan për Vëllaznimin dhe ka startuar me shifra impresive te gjakovarët. Më shumë pritet prej tij në vazhdim të edicionit. Vite më parë Omogbo ka pasur një rast tragjik në familje, por ka vazhduar para

Prishtinë, 25 janar – Lajmi për vdekjen e ikonës së basketbollit, Kobe Bryant, afro një vit më parë, ishte i hidhur për të gjithë. Ishte përjetuar rëndë edhe nga basketbollisti nigerian Emmanuel Omogbo, që ditë më parë iu bashkua skuadrës së Vëllaznimit të Gjakovës në Superligën e Kosovës.

Omogbo u prek shumë nga lajmi i hidhur që e mori derisa po priste në një aeroport të Italisë për t’u kthyer nga një ndeshje që e kishte pasur me ekipin e tij të atëhershëm, Pallacanestro Biella.

Superylli Bryant vdiq më 26 janar të vitit të kaluar, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonte u përplas në Calabasas të Kalifornisë. Në atë helikopter ishin edhe e bija e tij, 13-vjeçarja Gianna, dhe shtatë persona të tjerë, të cilët gjithashtu vdiqën në vend. Bota e sportit kishte mbetur e tronditur nga aksidenti fatal i Bryantit.

Në fillim Omogbo mendonte se vdekja e Bryantit ishte lajm i rremë, për shkak se nuk dëshironte të besonte një gjë të tillë.

“Ishte një lajm tepër dëshpërues. Isha në aeroport me ekipin duke pritur të kthehemi nga një ndeshje si mysafir. Aty e mora lajmin dhe në fillim mendova se është i rremë, për shkak se thjesht nuk mund të besoja një gjë të tillë. Nuk mund ta qetësoja kokën, jo vetëm unë, por të gjithë në aeroport shikonin telefonat e tyre dhe ishin të shokuar”, kujton Omogbo.

Pasi çdo gjë ishte konfirmuar, Omogbo reagoi me një postim prekës në “Twitter” duke shkruar se po lutet për Koben, vajzën e tij dhe për gjithë personat e tjerë që e humbën jetën në atë aksident me helikopter. Arsyeja për këtë reagim të basketbollistit nga Nigeria ishte e fortë. Kur ai kishte nevojë më së shumti për përkrahje, pranë iu gjet pikërisht ish-ylli i Los Angeles Lakersave dhe NBA-s, Bryant.

Omogbo ishte rritur duke shikuar ndeshjet e Bryantit nëpërmjet televizorit përkrah babait të tij, Samson, që ka qenë fans i madh i basketbollistit amerikan. Dhe kur Omogbo humbi prindërit e tij në një aksident zjarri në Maryland në SHBA para pesë vjetësh, Bryant i dërgoi mesazh të fortë përkrahjeje. Krahas prindërve, Omogbo kishte humbur edhe mbesën e tij të vogël dhe ishte tërësisht i thyer. Pastaj papritmas Omogbo mori një video-mesazh në “Twitter” nga idhulli i babait të tij, Bryanti.

“Kam pasur një lidhje të veçantë me Koben kur prindërit e mi vdiqën në një aksident të zjarrit”, thotë Omogbo.

Pikërisht video-mesazhi nga Kobe e forcoi edhe me shumë Omogbon për të vazhduar tutje. Bryant në mesazhin e tij, ndër të tjera, i kishte kërkuar basketbollistit tashmë të Vëllaznimit, që ta mbante kokën lart dhe i kishte thënë se ai e ndan dhimbjen me Omogbon.

“Emmanuel, çfarë po ndodh? Këtu është Kobe”, ishin fjalët e para të Bryantit në video-mesazhin e tij. “Unë thjesht doja të gjeja kohë për t’ju njoftuar se po mendoj për ty. Ti je në lutjet e mia dhe do të vazhdosh të mbetesh aty. Fuqia jote, guximi yt, janë një frymëzim i vërtetë. Thjesht, doja të thosha që jam aty për ty, burrë. Mbaje kokën lart dhe vazhdo përpara”.

Vlera e mesazhit

Ky mesazh pati vlerë më të madhe sesa që Omogbo ta njihte personalisht Bryantin.

“Me ndihmoi shumë. Më dha motiv shtesë, sepse ai ishte lojtari i pëlqyer i babait tim. Ai gjithmonë dëshironte ta shikonte Koben që e kishte idhull dhe LA Lakersat që ishin ekipi i tij i zemrës. Unë isha në pikën shkatërruese pas asaj ngjarjeje dhe mesazhi i Kobet kishte vlerë për mua. Kjo tregon për zemërgjerësinë e tij, sepse ai mësoi historinë time dhe më ofroi përkrahje. Këto gjëra të mëdha i bëjnë vetëm superyjet”, shtoi Omogbo.

Omogbo shikoi Bryantin dhe Lakersat shumë me babanë e tij, ndërsa u rrit dhe mësoi që herët të vlerësonte jo vetëm talentin e Bryantit, por edhe etikën e tij të punës, udhëheqjen, respektin për shokët e tij të skuadrës, kundërshtarët dhe shqetësimin për familjen e tij.

Vetëm dy ditë para njëvjetorit të vdekjes tragjike të Bryantit, Omogbo debutoi në Superligën e Kosovës, me fanellën e Vëllaznimit. Bryant të martën ka përvjetorin e vdekjes, kurse Omogbo të dielën mbrëma ishte më i dalluari te Vëllaznimi që pësoi humbje në Prizren nga skuadra e Bashkimit (79:67). Omogbo për 36 minuta në parket pati statistika të frikshme dhe ishte më i dalluari te ekipi nga Gjakova. Ai ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 24 pikëve e 12 kërcimeve derisa pati edhe katër asistime.

“Kjo ishte vetëm ndeshja ime e parë dhe jam i bindur se në duelet e tjera do të kem paraqitje edhe më të mira për shkak se kam ardhur këtu për ta ndihmuar Vëllaznimin deri në fund të sezonit, gjë që do ta bëj”, u shpreh Omogbo, 25-vjeçar, për KOHËN.

“Edhe pse kam vetëm një ndeshje, mendoj se liga në përgjithësi është shumë cilësore dhe të detyron që të japësh më të mirën nga vetja. Nuk kam stërvitur fare me Vëllaznimin, por basketbollin e kam në gjak dhe mund të mbijetoj çdo kund, thjesht më duhet vetëm topi”.

Shkëlqimi pa asnjë stërvitje

Në të vërtetë, Omogbo u zyrtarizua te Vëllaznimi tri orë para ndeshjes me Bashkimin, të dielën. Ai luajti në këtë takim pa asnjë stërvitje dhe ishte më i dalluari te ekipi gjakovar, që këtë edicion është kthyer në Superligë. Për Omogbon, i cili është reprezentues i Nigerisë, është hera e parë që ka dëgjuar për basketbollin në Kosovë. Ideja e transferimit te Vëllaznimi ka ardhur nga agjenti i tij, ndërsa Omogbo thotë se ka synime të mëdha për edicionin e ardhshëm. Ai është i bindur se do të jetë pjesë e një ekipi të fortë diku në një ligë të Azisë apo të Evropës.

“Ishte ideja e agjentit tim sepse dua të luaj në një ligë të fortë aziatike ose evropiane dhe ai është i bindur se nëse e dëshmoj veten këtu, atëherë do të godas në shenjë. Mendoj se njerëzit e botës së basketbollit me njohin se kush jam, por nuk janë në dijeni se çfarë mund të bëj nëse më jepet rasti. Unë vetëm po e kërkoj mundësinë dhe fillimisht dua të dëshmohem këtu, ndonëse nuk është liga më e mirë por basketbolli mbetet basketboll. Pra, nëpërmjet Vëllaznimit dua të bëj hapin e madh, gjë që besoj se do t’ia dal mbanë”.

Omogbo është i lindur në Lagos të Nigerisë, kurse në moshën shtatëvjeçare me familjen e tij është zhvendosur në SHBA për një jetë më të mirë. Pikërisht në SHBA është njoftuar me basketbollin. Ai është i gjatë 205 centimetra dhe luan në pozitën e qendrës. Shquhet për fizikun që ka. Ka luajtur në kolegjet “South Plains” dhe “Colorado State” deri në vitin 2017, vit në të cilin është zhvendosur në Evropë për të vazhduar karrierën si profesionist. Ekipi i tij i parë ishte Victoria Libertas Pesaro në Itali për të vazhduar pastaj te Pieno në Lituani, Ironi Kiryar Ata të Izrealit, Biella të Italisë dhe Penas Huesca të Spanjës. Skuadra e Vëllaznimit pas 17 ndeshjeve këtë edicion, zë vendin e parafundit në tabelë me 21 pikë, sa i ka edhe Trepça në të fundit. Ekipi që pjesën e rregullt të sezonit e mbyll në pozitën e fundit, do të bjerë në një rang më poshtë derisa ai i parafundit do të luajë ndeshjen e plejautit.

“Kryesisht kam luajtur në Itali dhe nuk kam dëgjuar për basketbollin në Kosovë. Por tani më vjen mirë që jam pjesë e kësaj lige. E kam parasysh renditjen e klubit, por është e rëndësishme që të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Shpresoj që të arrijmë synimet, edhe pse kemi disa lëndime. Megjithatë, unë jam i gatshëm për ta dhënë më të mirën nga vetja”, shtoi basketbollisti nigerian.

Omogbo ka edhe sajtin e tij zyrtar në të cilin shet produkte me inicialet e tij “EO”, dhe thotë se synimi është që të krijojë një bazë të madhe adhuruesish në mbarë botën. Me paraqitje si ajo e së dielës tifozët në Gjakovë dhe në Kosovë do t’i ketë të shumtë.

-->