Houston shkëlqen me Chris Paul kundër Cleveland

Basketboll 04 Shkurt 2018 10:25

Mbrëmje tjetër interesante në NBA, ku Houston Rockets shënojnë fitoren e katërt rresht, Detroit Pistons edhe një fitore me Blake Griffin, e Golden State mposhten në Denver.

Houston Rockets mposhtin Cleveland Cavaliers (120-88), duke shënuar fitoren e katërt rresht dhe të dytën kundër Cavaliers këtë sezon. Ishte një ndeshje ku për ekipin nga Teksas, Chris Paul ishte vetëm 2 kërcime larg një triple-double, pasi arriti të shënoj 22 pikë, 8 kërcime dhe 11 asistime.
“Mjekra” e Rockets, James Harden kishte edhe një mbrëmje solide, duke realizuar 16 pikë, 6 kërcime e 9 asistime. Kurse, lojtari tjetër që ishte në kuotën e +20 pikëve, ishte Ryan Anderson me 21 pikë e 8 kërcime.

Tek Cavaliers, LeBron James u ndal në vetëm 11 pikë, mirëpo ishte pranë triple-double pasi kishte edhe 9 kërcime e po aq asistime. Dyshja Isaiah Thomas dhe JR Smith e përmbyllen ndeshjen të dy me nga 12 pikë.

Nga ndeshjet tjera, Golden State Warriors pas humbjes nga Utah Jazz, kësaj radhe mposhtet nga Denver Nuggets (108-115) përkundër 31 pikëve nga Kevin Durant dhe 24 të Steph Curry-t. Ishte ndeshja e tretë e Warriors në pesë ditët e fundit. Golden State në këtë ndeshje, hyn në çerekun e katërt duke pasur epërsinë në rezultat, dhe u ndjen ndoshta edhe më shumë sesa që duhet komfor, pasi kishin arritur 37 fitore rresht kur ishin në epërsi pas çerekut të tretë. Megjithatë në këtë përballje, Nuggets dëshmoi të kundërtën duke arritur ta përmbys rezultatin pikërisht në çerekun e fundit, madje duke arritur epërsi prej 13 pikësh vetëm brenda çerekut të fundit (38-25).
Dyshja e Denver Will Barton dhe Nikola Jokiç, e përfunduan ndeshjen me efikasitet nga distanca, duke shënuar mbi 60% për tre pikë. Barton e përmbylli ndeshjen si realizatori më i mirë me 25 pikë, kurse Jokiç shtoi 19 pikë e 9 kërcime.

Detroit Pistons shënon edhe një fitore tjetër me Blake Griffin, duke e mposhtur Miami Heat (111-107), me ç’rast i shkaktuan Miami-t humbjen e tyre të tretë rresht.
Megjithëse Pistons shënuan dy fitore me rezultat të përafërt prej ardhjes së Griffin, trajneri Stan Van Gundy mendon se ka ende vend për tu përmirësuar. Në këtë ndeshje për Detroit, Ish Smith shënoi 25 pikë, kurse Blake Griffin pati 16 pikë, 9 kërcime e 7 asistime. Andre Drummond arriti double-double me 23 pikë e 20 kërcime. Përndryshe Griffin dhe Drummond kishin gati më shumë kërcime, sesa e gjithë skuadra e Miami-t (29-33).
Për Miami Heat shpërtheu Goran Dragiç, i cili shënoi 33 pikë, derisa Kelly Olynyk dhe Josh Richardson realizuan nga 19 pikë secili. /Insporti.com

Rezultatet e të gjitha ndeshjeve, që u zhvilluan të shtunën mbrëma sipas kohës në SHBA ishin:

Detroit Pistons – Miami Heat (111-107)

Indiana Pacers – Philadelphia 76ers (100-92)

Orlando Magic – Washington Wizards (98-115)

Cleveland Cavaliers – Houston Rockets (88-120)

Denver Nuggets – Golden State Warriors (115-108)

Minnesota Timberwolves – New Orleans Pelicans (118-107)

San Antonio Spurs – Utah Jazz (111-120)

Sacramento Kings – Dallas Mavericks (99-106)