Hoxha i kundërpërgjigjet Islamit: Shihemi në ndeshje

Futboll 03 Qershor 2020 11:00

Arbër Hoxha mund të jetë krucial me paraqitjen e tij sot për KF Ballkanin kundër kampionit në fuqi dhe fituesit së Kupës, KF Feronikelit. Hoxha është ndër futbollistët më të rëndësishëm të trajnerit Ismet Munishit në formacionin e tij. Ai këtë sezon është shndërruar në tmerrin e shumë mbrojtësve. Shpejtësia, driblimet dhe goditjet e tij kanë bërë që ai të jetë ndër futbollistët më të rrezikshëm të Superligës së Kosovës, ish futbollisti i Prishtinës këtë sezon me Ballkanin po shkëlqen, madje zhvilloi edhe një ndeshje me Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan Insporti.com.

Hoxha pritet që edhe sot të jetë në formacionin startues dhe të thotë fjalën e tij në fushë.

 Në një prononcim të dhënë për Insportin, ai ka deklaruar se është i gatshëm për këtë sfidë si dhe i është kundërpërgjigjur deklaratës së Përparim Islamit.

Mbrojtësi i Feronikelit, Islami, në një prononcim për Insportin deklaroi se Hoxha është një super futbollist por sot do ta mbajë në “xhep”. Megjithatë, numri nëntë i Ballkanit është treguar i kujdesëm para ndeshjes. “Sa i përket Islamit nuk më takon të flasë në prag të ndeshjes mbetet te shihet gjatë takimit se kush do të ketë ndeshje më të mirë, respekt për të”.

Sulmuesi, 21 vjeçar, tutje vazhdoi se është në formë të mirë dhe i gatshëm për këtë ndeshje të rëndësishme. “Gjendja fizike është mjaftë mirë e skuadrës jemi përgatitur në maksimum për ndeshjen që na pret sot. Do japim maksimumin që të dalim nga ky takim në mënyrën më të mirë të mundshme .Ishte një periudhë shumë e vështirë dy muaj e gjysmë pa futboll shyqyr Zotit jemi kthyer në normalitet”.

Në këtë sezon Hoxha ka zhvilluar 22 paraqitje në Superligë duke shënuar 6 gola dhe dhuruar 4 asistime. Ndërsa, në kuadër të Digjitalb Kupës së Kosovës është paraqitur në dy ndeshje.

Ndeshja ndërmjet KF Ballkanit dhe KF Feronikelit do të zhvillohet sot me fillim të orës 16:00, në stadiumin e qytetit në Therandë. Dje është zhvilluar ndeshja tjetër  gjysmëfinale ndërmjet KF Prishtinës dhe KF Drenicës, të cilën e fitoi Prishtina me rezultat të pastër 3:0.

Në dy përballjet e para në këtë sezon Ballkani ka triumfuar ndaj kampionit në fuqi. Në Therandë kishte shënuar fitore me rezultat 3:1, ndërsa në Drenas 2:0.

Kujtojmë se në fundjavë IPKO Superliga e Kosovës do të rifillojë. /Insporti.com/

-->