I privilegjuar

Opinione 09 Prill 2019 12:13

Kyle Korver

Kur policia i thyen këmbën shokut tënd të skuadrës, të bën të mendosh se kjo do të të zgjonte pak.

Kur e arrestuan atë në një rrugë të Nju Jorkut dhe e futën në burg për ta kaluar natën dhe e lanë me një lëndim që i përfundoi sezonin, do të mendonit se do të bëhej e qartë. Do të mendonit se dini se ka më shumë prapa kësaj storje.

Do të mendonit.

Por jo.

Ende e mbaj mend reagimin tim kur për herë të parë dëgjova se çfarë i ndodhi Thabos. Ishte më 2015, në pjesën e fundit të sezonit. Thabo dhe unë ishim shokë skuadre te Hawks, dhe kishim fluturuar për në Nju Jork natën vonë pas një ndeshje në Atlanta. Kur u zgjova në mëngjes, biseda ynë e grupit kishte eskaluar. Detajet ishin ende të paqarta, por djemtë po pyesnin, Thabo e ka lënduar këmbën? Gjatë një arrestimi? Prisni – ai e kaloi natën në burg?! Të gjithë ishin të mërzitur dhe të hutuar.

Pothuajse të gjithë. Reagimi im ishte… ndryshe. Jam i turpëruar ta pranoj.

E cila është edhe arsyeja pse vendosa ta shpërndaj sot.

Para se ta tregoj pjesën tjetër të ngjarjes, më leni ta them këtë shumë shpejt – Thabo nuk ishte një shok i rëndomtë skuadre, apo ndonjë lojtar në ligë që e njihja pak. Ne u bëmë shokë të vërtetë atë vit gjatë kohës së lirë. Ai ishte shoku im te i cili shkoja për të biseduar për gjëra jashtë botës së basketbollit. Politikë, fe, kulturë, çfarëdo që iu bie në mendje – Thabo solli një perspektivë që nuk ishte tipike për një lojtar të NBA-së. Dhe është e lehtë të shihet pse: Para se të ishim shokë skuadre te Atlanta, ai kishte luajtur basketboll profesionist në Francë, Turqi dhe Itali. Ai fliste tri gjuhë! Nëna e Thabos ishte nga Zvicra, dhe babai i tij nga Afrika e Jugut. Ata jetuan së bashku në Afrikën e Jugut para se të lindej Thabo, më pas u larguan për shkak të aparteidit.

Nuk kaloi shumë kohë për mua që ta kuptoj se Thabo ishte njëri nga njerëzit më interesant me të cilët isha shoqëruar. Ne respektonim njëri-tjetrin. Ishim ‘cool’, e dini? E mbështesnim njëri-tjetrin.

Sido që të jetë – në mëngjesin që mora vesh se Thabo ishte arrestuar, dëshironi të dini se cili ishte mendimi im i parë? Për shokun tim dhe bashkëlojtarin? Mendimi im i parë ishte: Çfarë po bënte Thabo në atë klub nate?

Po. Jo se si ishte ai. Jo se çfarë ndodhi gjatë arrestimit. Jo se diçka nuk dukej në rregull me këtë storje. Asnjëra nga këto. Para se të dija tregimin e plotë, dhe para se të kisha mundësinë që të flisja me Thabon… në njëfar mënyre e fajësoja atë.

Mendoja, se po të isha në vendin e Thabos, dhe po të isha jashtë në një klub nate, natën vonë, policia nuk do të më arrestonte, nëse nuk do të kisha bërë diçka të gabuar.

E turpshme.

Nuk ishte një mendim i vetëdijshëm. Ishte refleks i pastër – gjëja e parë që më shkoi në mendje.

Dhe unë u merakosa për të, pa pikë dyshimi.

Por, prapë, e turpshme.

Disa muaj më vonë, një juri e shpalli Thabon të pafajshëm në të gjitha akuzat. Ai arriti marrëveshje dëmshpërblimi me policinë e Nju Jorkut për forcën e përdorur ndaj tij. Dhe më pas storja thjesht… u zhduk. U largua nga lajmet. Thabo iu nënshtrua operacionit dhe shkoi në rehabilitim. Shumë shpejt, një tjetër sezon i NBA-së filloi – dhe ne u kthyem përsëri në parket.

Jeta vazhdoi.

Por unë ende nuk mund ta largoja shqetësimin tim.

Dua të them, unë as nuk isha i përfshirë në incident. As nuk kisha qenë aty. Kështu që përse u ndjeva se kisha zhgënjyer shokun tim?

Pse ndihesha se kisha zhgënjyer veten time?

Disa javë më parë, diçka ndodhi në një ndeshje të Jazz në shtëpi, që risolli të njëjtat pyetje të vjetra.

Ndoshta e keni parë: Ishim duke luajtur ndaj Thunder, dhe Russell Westbrook shkëmbeu disa fjalë me një tifoz në turmë, gjatë ndeshjes. Unë në fakt nuk pashë apo dëgjova se çka ndodhi, dhe nëse po e përcjellnit ndeshjen në TV ose në Twitter, ndoshta keni pasur një përvojë të njëjtë. Por, pas ndeshjes, njëri nga reporterët më pyeti për reagimin tim se çfarë kishte ndodhur ndërmjet Russ dhe tifozit. I tregova se nuk e kisha parë – dhe shtova diçka si, Ju e njihni Russ-in. Ai shpesh përfshihet me turmën.

Sigurisht, se tregimi i plotë doli më vonë atë natë. Ajo çfarë në fakt kishte ndodhur është se një tifoz i kishte thënë disa gjëra të tmerrshme Russ-it, nga një distancë e afërt. Russ më pas ishte kundërpërgjigjur. Pas ndeshjes, ai kishte thënë se komentet ishin në baza racore.

Ky incident e shqetësoi dhe inatosi ekipin tonë.

Në një mbledhje prapa dyerve të mbyllura me presidentin e Jazz, bashkëlojtarët e mi rrëfyen për eksperienca të ngjashme që kishin pasur – të ndjerit të turpëruar e degraduar në mënyra të papranueshme. Një bashkëlojtar tregonte se si nëna e tij e kishte thirrur menjëherë pas ndeshjes, e shqetësuar për sigurinë e tij. Një bashklojtar tha se nata i dukej sikur ta kalonte “në kopsht zologjik”. Njëri nga djemtë në takim ishte Thabo – ai tani është bashkëlojtari im te Utah. E shikoja atë, dhe mu kujtua nata e tij në Nju Jork.

Të gjithë ishin të mllefosur. Unë isha i inatosur – dhe i turpëruar, gjithashtu. Por ishte një ndjenjë tjetër në dhomë atë ditë, e cila ishte vështirë të piketohej. Ishte sikur… zhgënjim, i përzier me stërlodhje. Djemtë ishin të lodhur dhe të gërditur me gjithë këtë.

Kjo nuk ishte hera e parë që ata kishin qenë pjesë e bisedave rreth racës në karrierën e tyre në NBA dhe nuk ishte hera e parë që i duhej të adresonin veprimet urrejtëse të të tjerëve. Dhe një gjë e madhe që u diskutua shumë në mbledhje ishte se si incidentet si këto – nuk ishin vetëm për njerëzit e përfshirë. Kjo nuk kishte të bëjë vetëm me Russ dhe një abuzues. Ishte më shumë se kaq.

Ishte në lidhje me atë se çfarë do të thotë të ekzistosh tani – si një person me ngjyrë në një hapësirë kryesisht të bardhë.

Ishte për racizmin në Amerikë.

Para se takimi të përfundonte, iu bashkova kërkesave të ekipit për një reagim të shpejtë dhe një premtim nga organizata e Jazz-it se do të adresonte shqetësimet që kishim. Mendoj se bashkëlojtarët e mi dhe unë të gjithë ndjenim se ishte një hap në drejtimin e duhur.

Por nuk mendoj se askush u ndje i kënaqur.

Është një problem i madh për të cilin kam menduar shumë gjatë këtyre javëve të fundit. Është fakti se, demografikisht, nëse tregohemi të sinqertë: Unë kam më shumë të përbashkëta me tifozët në turmë, në një ndeshje të NBA-së, se sa që kam me lojtarët në fushë.

Dhe pas ngjarjeve në Salt Lake City muajin e kaluar, kam filluar të kuptoj rolin që kjo demografi luan në privilegjin tim. Është sikur – unë mund të jem shoku i Thabos, bashkëlojtari i Ekpes, ose kolegu i Russ – mund të punoj me këta djem. Dhe absolutisht 100% qëndroj prapa tyre.

Por unë dukem si ai tjetri.

Dhe pavarësisht se a më pëlqen apo jo, kam filluar të kuptoj se si kjo do të thotë diçka.

Çfarë po kuptoj është se, nuk ka rëndësi se sa me pasion tregoj se jam një aleat, dhe nuk ka rëndësi se sa i patundur është suporti im për lojtarët me ngjyrë në NBA dhe WNBA. Unë prap jam në këtë mes nga perspektiva e të qenit i privilegjuar. Që do të thotë se ashtu siç jam në këtë anë, shumë lehtë mund të zgjedh të dal në anën tjetër. Çdo ditë, e kam mundësinë e zgjedhjes – e kam të garantuar këtë privilegj – bazuar në ngjyrën e lëkurës time.

Thënë ndryshe, mund të them çdo gjë që më teket: Mund ta jem i zëshëm në solidaritetin me Russ pas asaj çka ndodhi në Utah. Mund ta them pozicionimin tim në lidhje me atë se çka i ndodhi Thabos në Nju Jork. Mund të jem ai djaloshi i çuditshëm në filmin ‘Get Out’ që fliste se si do ta votonte Obamën për një mandat të tretë. Mund të kundërshtoj çdo abuzues racor që e kam njohur ndonjëherë.

Por mund edhe të futem në mesin e turmës, dhe fytyra ime të bashkohet me fytyrat e atyre abuzuesve, sa herë që dua.

Këtë e kuptoj tani. Dhe ndoshta në vitet e kaluara, vetëm kuptimi i diçkaje do të ishte si progres. Por nuk jemi në vitet e kaluara – është e sotmja. Dhe e di se duhet të bëj më shumë. Kështu që po e shtyej veten edhe më tej.

Po tentoj të pyes veten se çfarë duhet në fakt të bëj. Si mundem unë – si një i bardhë, pjesë e këtij problemi sistematik – të bëhem pjesë e një zgjidhjeje kur bëhet fjalë për racizëm në vendin tim të punës? Në komuntetin tim? Në këtë shtet?

Këto janë pyetjet që ia kam bërë vetes së fundmi.

Dhe nuk mendoj se i kam të gjitha përgjigjet ende – por këtu janë disa prej të cilave që kanë filluar të tingëllojnë si më të vërtetat:

Duhet të vazhdoj ta edukoj veten në historinë e racizmit në Amerikë.

Duhet të dëgjoj. Do ta them prapë, sepse është kaq e rëndësishme. Duhet të dëgjoj.

Duhet të mbështes liderët të cilët e shohin drejtësinë racore si fundamentale – si diçka e cila është në zemër të pothuaj secilës çështje madhore në shtetin tonë sot. Dhe duhet të mbështes politikat që e bëjnë të njëjtën.

Duhet ta bëj më të mirën time që të kuptoj se kur të liroj udhën – në mënyrë që të rris zërat e grupeve të margjinalizuara që shpesh humben.

Por ndoshta më shumë se gjithçka?

E di se, si njeri i bardhë, duhet që të mbaj të bardhët e tjerë si përgjegjës.

Dhe ne të gjithë duhet të mbajmë njëri tjetrin si përgjegjës.

Jo vetëm për veprimet tona, por po ashtu për mënyrat se si mos veprimi ynë mund të krijojë një hapësirë “të sigurt” për këto sjellje toksike.

Kur bëhet fjalë për racizmin në Amerikë, mendoj se faji dhe përgjegjësia shihen si pothuajse e njëjta gjë. Por kam filluar të kuptoj se tani ka një dallim të madh.

Si njerëz të bardhë, a jemi ne fajtorë për mëkatet e paraardhësve tanë? Jo, nuk mendoj ashtu.

Por a jemi përgjegjës për to? Po, besoj se jemi.

Duhet të kuptojmë se në një nivel fundamental, njerëzit e bardhë dhe të zi e kanë krejtësisht ndryshe në Amerikë. Dhe këto dallime vijnë nga një histori e shëmtuar… jo një ndarje rastësore.

Dhe duhet të kuptojmë se ‘Black Lives Matter’ (Jetët e të zinjëve kanë rëndësi), dhe lëvizje si këto, kanë rëndësi – sepse, ta themi troç: Unë ndoshta do të isha i sigurt në rrugë atë natë në Nju Jork. Dhe Thabo nu kishte. Unë isha i sigurt atë natë në fushë në Utah. Dhe Russell nuk ishte.

Por sado e turpshme të jetë që na duhet të merremi me këta abuzues racistë në palestrat e NBA-së në vitin 2019, e vërteta është se ky lloj racizmi është “më i lehti” për t’u menaxhuar.

Sepse të paktën në këto raste, racizmi është i hapur dhe i zëshëm. Nuk ka fshehtësi – jo në vetë aktin, dhe për fat të mirë jo në reagimin: ne e largojmë personin nga ndërtesa, dhe më pas e përjashtojmë për gjithë jetën.

Por në shumë mënyra, forma më e rrezikshme e racizmit nuk është ky i zëshmi. Është ai lloji i fshehur dhe i qetë. Ai lloj që pothuajse e fsheh veten në prani të të gjithëve. Është personi që bën dhe thotë të gjitha gjërat “e duhura” në publik: Ata janë tejet të shoqërueshëm kur e takojnë një person me ngjyrë. Janë shumë të sjellshëm. Por në brendësi? Ata shpresojnë që të gjithë të ndaleshin dhe të mos e shndërronin gjithçka në “problem racor” gjatë gjithë kohës.

Është lloji i racizmit që mund të duket pothuaj i padukshëm – që është një prej arsyeve pse lejohet të vazhdojë.

Duhet të identifikojmë së pari këtë lloj sjellje më të padukshme dhe më pak të qartë, si atë çfarë është: racizëm.

Dhe së dyti, duhet ta denoncojmë këtë racizëm – në mënyrë aktive, në çdo nivel.

Ky është minimumi i asaj se çfarë duhet të arrijmë, mendoj, nëse do të konsiderojmë NBA-në – ose cilin do vend të punës – si diçka që është pjesë e zgjidhjes më 2019.

Do ta konkludoj këtë shumë shpejt – por fillimisht kam një mendim të fundit.

NBA-ja përbëhet 75% nga lojtarët me ngjyrë.

Shtatëdhjetë e pesë për qind.

Njerëzit me ngjyrë, ata e kanë ndërtuar këtë ligë. Ata e kanë ngritur këtë ligë. Njerëzit me ngjyrë e kanë bërë këtë ligë atë se çfarë është sot.

Nëse mendoni se më e mira që mund të bëni për kauzën e tyre është që pasivisht ta “toleroni” dhe nëse ky është standardi në të cilin kemi arritur, mendoj se kjo nuk mjafton. As afër.

E di se jam në një pozicion të çuditshëm, si një nga lojtarët më të njohur të bardhë në NBA. Është pozicion që vjen me shumë… nuanca interesante. Dhe është një pozitë që më bën një simbol të shumë gjërave, për shumë njerëz – shpesh njerëz që nuk dinë asgjë për mua. Zakonisht, i injoroj ata. Por ky nuk duket si një moment “i zakonshëm”.

Besoj se ajo çfarë po iu ndodh njerëzve me ngjyrë në këtë vend – tani për tani, më 2019 – është e gabueshme.

Fakti se amerikanët me ngjyrë kanë pesë herë më shumë gjasa që të burgosen krahasuar me ata të bardhë, është gabim. Fakti se amerikanët me ngjyrë kanë dyfish më shumë gjasa të jetojnë në varfëri, krahasuar me të bardhët, është gabim. Fakti se shkalla e papunësisë në mesin e amerikanëve me ngjyrë arrin dyfishin e asaj të papunësisë totale, është gabim. Fakti se shkalla e burgimit të atyre me ngjyrë për përdorim të drogës është gjashtë herë më e lartë se për të bardhët, është gabim. Fakti se amerikanët me ngjyrë kanë një të dhjetën e pasurisë që kanë të bardhët në Amerikë, është gabim.

Dhe fakti se kjo pabarazi është e ndërtuar kaq thellë në shumë prej institucioneve tona më të besuara është gabim.

Dhe besoj se është në përgjegjësinë e cilit do në anën e privilegjuar të këtyre pabarazive që të ndihmojë për të përmirësuar gjërat.

Kështu që nëse nuk dëshironi të dini asgjë për mua, jashtë basketbollit, atëherë dëgjoni – e marr vesh. Por nëse dëshironi të dini diçka? Dijeni se e besoj këtë.

Dijeni këtë për mua.

Nëse veshni fanellën time në një ndeshje? Dijeni këtë për mua. Nëse po planifikoni të bleni fanellën time për dikë tjetër… dijeni këtë për mua. Nëse më ndiqni në rrjete sociale… dijeni këtë për mua. Nëse do të vini në ndeshjet e Jazz dhe brohorisni për mua… dijeni këtë për mua.

Dhe nëse e përdorni emrin tim, apo pëlqimin tim, për kauzën tuaj, në cilën do mënyrë, dijeni këtë për mua. Dijeni se unë besoj që kjo ka rëndësi.

Faleminderit që lexuat.

Tani koha për mua ty mbylli gojën dhe të dëgjoj.

E publikuar në The Player’s Tribune, përkthyer nga Insporti.