I zakonshmi Mourinho – zhvillon debat të tensionuar me gazetarin norvegjez pas barazimit me Bodo

UEFA Conference League 05 Nëntor 2021 08:42

Josè Mourinho vazhdon të prodhojë momente magjike në intervistat e tij pas ndeshjeve. Trajneri portugez i AS Roma ka zhvilluar një debat interesant me gazetarin norvegjez Jan Aage Fjørtoft, pas barazimit me Bodo/Glimt në Ligën e Konferencës, shkruan Insporti.com.

Gazetari norvegjez, Fjørtoft, në zonën “mix” arrin që të bëjë një intervistë me trajnerin legjendar, që nuk do ta harrojë në karrierën e tij.

Ai i drejtohet Mourinhos me fjalën “boss” dhe i thotë se si e ka parë ndeshjen me Bodo/Glimt.

Trajneri portugez filloi shoun e tij disa minutësh, duke u ankuar në gjyqtarët e ndeshjes.

“Shiko, gjyqtari duhet të flasë por ata nuk flasin”.

Nga kjo përgjigje, gazetari e “goditi” në pikën e dobët Mourinhon, duke e pyetur se çfarë bëri gabim gjyqtari. 

Fytyra e Mourinhos për një sekond u ndalë dhe më pastaj ai filloi atë që di më së miri.

Roma nuk arriti më shumë se barazim me skuadrën norvegjeze në “Olympico” duke mos arritur hakmarrjen pas turpërimit në Norvegji. Bodo/Glimt mposhti skuadrën romake të Mourinhos me rezultat 6:1 në ndeshjen e parë.

Jan Aage Fjørtoft është një ish-futbollist norvegjez, i cili ka bërë karrierë në PremierLigën Angleze dhe Bundesligën gjermane.

Pas pensionimit nga futbolli aktiv, ka filluar karrierën si gazetar.

Më poshtë “Insporti” ju sjell intervistën e plotë të Mourinhos pas ndeshjes.

Mourinho: “A e ke shikuar ndeshjen?” 

Gazetari: “Po, sigurisht që po. Por, unë dua ta di nga përspektiva e juaj”.

Mourinho: “Ti më trego”.

Gazetari: “Jo, ti më trego. Unë dua ta dëgjoj nga trajneri i Romës”.

Mourinho: “Joo, ti më trego…”.

Gazetari: “Ti mendon se do të duhej të kishte penallti”.

Mourinho: “Po pra. Ti e di këtë, apo jo”.

Gazetari: “Ti mendon se do të duhej të kishte penallti”.

Mourinho: “Edhe ju”.

Gazetari: “Në cilat situata mendon se do të duhej të kishte penallti, unë dua ta dëgjoj nga ana e trajnerit të Romës”.

Mourinho: “Ti nuk e ke parë”

Gazetari: “Unë jam vetëm një reporter normal televizioni”.

Mourinho: “Jo. Më trego se çfarë keni parë”.

Gazetari: “Unë nuk kam mundur ta shohë, isha ulur shumë larg”.

Mourinho: “Ju nuk i keni shikuar as pamjet televizive, pas ndeshjes?”

Gazetari: “Pra ju mendoni se gjyqtari nuk akordoi dy penallti”.

Mourinho: “Sigurisht”.

Gazetari: “Çfarë mendoni për paraqitjen e Bodo/Glimt, kishte ndonjë befasi se si u paraqitën”.

Mourinho: “Ata janë skuadër e mirë, futbollistë të mirë, dy gjuajtje në portë, shënuan dy gola. Rezultati 2:2. Gjyqtari nuk akordoi dy penallti, kishim 4-5 shanse më shumë për të shënuar. Kjo ishte ndeshja”. /insporti.com/

-->