Ibra dikur i ofronte para Lukakus për ta stërvitur, dje u përplasen

Futboll 27 Janar 2021 14:03

“Derby della Madonnina”  mbrëmë mbeti në hijen e përplasjes së gjigantëve Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukaku. Në fund të pjesës së parë, Ibrahimovic dhe Lukaku ofenduan njëri – tjetrin dhe ishte shumë afër që situata të kalonte në përleshje fizike.

Tensionet vazhduan edhe pas përfundimit të pjesës së parë gjatë futjes në tunel por ndërhyrja e bashkëlojtarëve të tyre nuk lejuan që situata të dilte jashtë kontrollit.

Kjo nuk ishte hera e parë që Ibra e sulmon ish bashkëlojtarin e tij te Manchester United.

Në vitin 2019, Ibrahimovic kishte deklaruar se sulmuesi belg ka probleme me prekjen e parë të topit dhe teknik.

Ai në një intervistë për gazetën italiane “Gazzeta dello Sport” kishte deklaruar se nuk duhet të prisni se Lukaku do të ketë teknik të mirë, por nga ai do të keni fuqi.

“Më duhet ta them këtë për Romelun. Sikur të më dëgjonte ai mua sa ishim bashkë te Manchester United. Unë i ofrova ndihmë, duke vendosur një bast se për çdo prekje të parë të topit, do t’ia jep 50 funta. Ai më përgjigj se çfarë do të fitonte nëse do të bënte të gjitha mirë, unë i thashë asgjë, vetëm se do bëhesh një futbollist më i mirë”.

Lukaku ishte transferuar te gjiganti anglez në verën e vitit 2017 për shumën e 75 milionë eurove nga Evertoni, ndërsa në Inter ai kaloi në vitin 2019.

Me fanellën e Interit ai po shkëlqen, vetëm këtë sezon ka shënuar 23 gola në 30 paraqitje.

Formë të mirë po kalon edhe Ibrahimovic, pasi në 15 ndeshje në Serie A që ka filluar nga minuta e parë ka shënuar 12 gola. Sulmuesi suedez mbrëmë ndeshjen e përfundoi më herët, pasi u ndëshkua me kartonin e kuq, pas dy të verdhëve.

-->