Ibrahimovic pritej t’i bashkohej Milanit, sapo ka shitur shtëpinë në qytetin italian

Futboll 08 Nëntor 2019 22:30

Zlatan Ibrahimovic ka mbyllur aventurën e tij në kampionatin amerikan me Los Anxhelosin, ndërkohë që pritet të rikthehet në Evropë. Për shërbimet e tij, interesohen skuadra të shumta dhe së fundmi doli lajmi i bujshëm se ka arritur një akord me Milanin dhe në janar, pritej të bëhej pjesë e kuqezinjve.

Për të bërë më shumë lëmsh situatën për afatin kalimtar ka menduar vetë Ibrahimovic. Mesa duket, rikthimi në Milano nuk ishte një opsion ose të paktën deri para pak ditësh. Këtë javë, ai ka shitur shtëpinë e tij në Milano për një shumë që arrin në 5 milionë euro dhe si duket, është një sinjal për të ardhmen e tij që mund të jetë larg Milanos.

Pak ditë më parë, në profilin e tij zyrtar në “Twitter”, Ibrahimovic publikoi edhe një video në të cilën paralajmëronte një rikthim në Spanjë. “Përshëndetje Spanja! Unë po rikthehem”, ishte mesazhi i tij duke bërë në këtë mënyrë një lëmsh në afatin kalimtar.