Ibrakovic mohon spekulimet se do të shkarkohet pas ndeshjes me Ballkanin

Futboll 17 Shkurt 2022 13:58

Trajneri boshnjak i FC Prishtinës, Abdulah Ibrakovic, nuk e sheh vetën të rrezikuar dhe se do të mbetet trajner i skuadrës kampione pavarësisht rezultatit të ndeshjes derbi me Ballkanin, shkruan Insporti.

Sipas Ibrakovicit ai ka besimin e plotë të kryesisë së klubit, përkundër nisjes së kampionatit me humbje dhe paraqitje të dobët në dy ndeshjet e parë, ndonëse arriti ta kualifikojnë Prishtinën në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

Në një prononcim për “Insportin”, Ibrakovic ka deklaruar se nuk po e kupton pse ndeshja me Ballkanin do të jetë e fundit si trajner i Prishtinës.

“Unë nuk po e kuptoj pse kjo ndeshje do të jetë e fundit, ne jemi në fillimin e disa ndërrimeve në klub dhe fazës së stabilizimit. Unë jam në komunikimin çdo ditë me kryesinë e FC Prishtinës”.

Trajneri, 51-vjeçar,  ka dhënë një përgjigje interesante duke thënë se e di se sa shumë persona e duan dështimin e Prishtinës.

“Ne dimë shumë mirë se sa e rëndësishme për të tjerët që ne te jemi jo stabil por jemi totalisht të vëmendshëm se po i futemi një betejë me ata që na duan dhe ata që duan që ne të dështojmë. FC Prishtina gjatë historisë ka mësuar të luftojë kundër fuqive aktuale”.

Numri një i bankinës së skuadrës kampione në fund të prononcimit deklaroi se kundër bardh e kaltërve të gjitha skuadrat mbyllen dhe luajnë me kundërsulme, gjë që e bënë punën edhe më të vështirë.

Ibrakovic mori drejtimin e Prishtinës pas shkarkimit të trajnerit Zekirija Ramadanit dhe ka kontratë deri në vitin 2023.

Prishtina ishte në fazën përgatitore me Ibrakovic për 17 ditë me radhë në Turqi, aty ku e ka përgatitur skuadrën për fazën e dytë të kampionatit.

Megjithatë, kampionatin e nisi me humbje ndaj Malishevës me rezultat 2:1, duke zhvilluar një ndeshje tejet të dobët.

Në Kupën e Kosvoës arriti të kualifikohet në çerekfinale pas vetëm 120 minutave, duke eliminuar Drenicën. Edhe në atë ndeshje, Prishtina nuk zhvilloi një ndeshje të mirë.

Prishtina të dielën do ta zhvillojë ndeshjen derbi me Ballkanin në kuadër të BKT Superligës së Kosovës.

Pas 19 xhirove të zhvilluara, Prishtina renditet në pozitën e pestë me 24 pikë të grumbulluara. Në tri ndeshjet e fundit në kampionat ka pësuar humbje. /insporti.com/

-->