Igli Tare u paguan hakerëve 2 milionë euro

Kur skuadra italiane Lazio, e transferoi mbrojtësin holandez Stefan de Vrij nga Feyenoord, marrëveshja përfshinte një pjesë e pagesës të bëhej me këste.
Kohë më parë, Lazio kishte marrë një e-mail nga Feyenoord, ku klubi italian duhej të bënte edhe pagesën e këstit të fundit për De Vrij, e cila ishte 2 milionë euro.
Mirëpo, ky e-mail, nuk ishte fare nga skuadra holandeze e Feyenoord, por në fakt ishte nga disa hakerë, të cilët duke pasur informacionin mbi pagesën e kësteve, u paraqitën si pjesë e stafit të Feyenoord, duke i dhënë ekipit italian llogarinë ku të transferohen mjetet prej 2 milionë euro.
Lazio e përfundoi transaksionin e 2 milionë eurove, por më vonë skuadra holandeze Feyenoord i informoi se nuk kishin marrë mjetet e këstit të fundit dhe u shprehën se nuk kishin dijeni lidhur me e-mailin e dërguar te skuadra italiane.
Sipas shtypit italian, thuhet se prokurori i cili po e ndjek rastin, kishte arritur t’i gjurmojë parat në një llogari tek një bankë holandeze, mirëpo nuk ishte llogaria e skuadrës së Feyenoord.
Mbrojtësi Stefan de Vrij, ishte transferuar nga Feyenoord tek Lazio në vitin 2014 për 7.5 milionë euro dhe kontrata e tij skadon këtë verë, kurse për shërbimet e 26 vjeçarit kanë shfaqur interesim Barcelona, Inter, Manchester City dhe Manchester United. /Insporti.com