Ilir Latifi mposhtet nga Oezdemiri, pëson me nokaut

Sporte luftarake 11 Gusht 2019 08:33

Luftëtari me prejardhje nga Kosova, Ilir Latifi, është mundur mbrëmë në UFC, në duelin me Volkan Oezdemir.

Latifi, që ka pasaportë suedeze, është mposhtur nga zvicerani Oezdemir, në UFC Montevideo në Urugaj, në një duel të top 10-ës.

Shqiptari pati një moment të mirë kur arriti ta shtrinte në tapet zviceranin, duke ia kapur njërën këmbë, por Oezdemir ia doli të rikthehej, duke dhënë disa goditje të mira me bërryl dhe gju.

Syri i djathtë i Latifit filloi të kishte probleme qysh në raundin e parë, kurse Oezdemir kontrollonte oktogonin duke dhënë goditje të sakta, përcjellë me një mbrojtje të shkëlqyer.

Luftëtari nga Zvicra e mundi Latifin me një nokaut në rundin e dytë.

Latifi regjistron një rekord 14-7, kurse Volkan Oezdemir 16-4.